Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Krenar Xhaferi, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti se po qeveris me arrogancë e me konfrontim, duke thënë se Kurti nuk kërkoi asnjëherë bashkëpunim të sinqertë me partitë opozitare.
Xhaferi ka shkruar në Facebook të hënën se shqiptarët patën mundësi unike për bashkëpunim kombëtar, por sipas tij, “Kurti në vend që ta shfrytëzonte këtë kapitull të rrallë, zgjodhi përçarjen”.
Sipas deputetit të LDK-së, thirrjet e Kurtit për unitet “janë të vonshme dhe të pambështetura”.
“Me opozitën, ai nuk kërkoi asnjëherë bashkëpunim të sinqertë. Bashkëqeverisja në demokraci nuk është shenjë dobësie, por pjekurie politike – një pjekuri që Kurti as nuk e kultivoi, as nuk e dëshmoi. Sot, thirrjet e tij për ‘unitet’ janë të vonshme dhe të pambështetura. Nuk mund të kërkosh solidaritet, kur ke ndërtuar karrierën mbi ndarjen. Një qeverisje që ndërtohet mbi dominim dhe arrogancë, nuk mund të prodhojë stabilitet. Dhe një lidership që refuzon të bashkëpunojë, nuk mund të pretendojë legjitimitet për të udhëhequr procese të mëdha shtetërore”, ka thënë ai.
Xhaferi shtoi se kryeministri Kurti e ktheu “përjashtimin në normë politike”.
“Në politikë, momentet historike nuk përsëriten shpesh. Dhe kur ndodhin, udhëheqësit e vërtetë e kuptojnë peshën e përgjegjësisë. Për herë të parë në historinë e shqiptarëve, katër kryeministra shqiptarë udhëhiqnin njëkohësisht vendet tona. Një mundësi unike për bashkëpunim kombëtar. Por Albin Kurti, në vend që ta shfrytëzonte këtë kapitull të rrallë, zgjodhi përçarjen. Në vend që të ndërtonte ura, ai ngriti mure. Në vend të dialogut, ai zgjodhi konfrontimin. Në vend të përfshirjes, ai e ktheu përjashtimin në normë politike. Kjo nuk ishte pasojë e ndonjë rrethane të jashtme – ishte zgjedhje personale, e qëndrueshme dhe e përsëritur”, u shpreh ai.
Kryetari i Vetëvendosjes, njëherësh edhe kryeministër në detyrë, Albin Kurti, të dielën e ka ftuar zyrtarisht kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takim.
Në letrën drejtuar Abdixhikut, Kurti ka ofruar disa orare për takimin eventual.
“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025. Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, thuhet në letrën e Kurtit.
Ftesa të tilla për konsultime për konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e Qeverisë së re, siç ka marrë vesh KOHA, nuk u janë përcjellë edhe dy subjekteve të tjera politike: Partisë Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.