Liqeni i Badovcit shënon nivelet më të ulëta në këtë periudhë kohore që nga paslufta, ka thënë Sokol Xhafa, kryeshef i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
Xhafa ka thënë të premten në “Sot” të KTV-së se Badovci aktualisht është më shumë se 9 metra nën kuotën maksimale ku fillon kapërderdhja.
Sipas tij, liqeni i Batllavës qëndron më mirë në këtë aspekt.
“Pjesa e liqenit të Badovcit është jashtëzakonisht keq me nivelet e ujit në akumulim Jemi më shumë se 9 metra nën kuotën maksimale ku fillon kapërderdhja që shënon nivelet më të ulëta në këtë periudhë kohore që nga paslufta. Ndërsa sa i përket Liqenit të Batllavës atje niveli është më i mirë”, ka thënë Xhafa.
Ai ka shtuar se aktualisht furnizimi me ujë këto ditë është stabil, ndonëse siç ka thënë nëse vazhdon thatësia, mund të shkohet me reduktime të ujit.
“Në përgjithësi furnizimi është stabilizuar këto ditë. Përveç Vetenikut, kryeqyteti nuk ka reduktime të planifikuara. Nivelet varen shumë nga konsumi. Sot presim që do të ketë mbikonsum sepse edhe temperaturat shënojnë sot nivelet maksimale. Operatori i cili është kujdestar obligohet që ta ndërpresë në mënyrë që nesër të ketë furnizim me ujë”, është shprehur ai.
VIDEO: