Arbëri

AP shtron dilemën: A është Ballkani caku i ardhshëm i Rusisë?

Kush do të jetë caku i ardhshëm i Rusisë në Evropë është dilema që ka shtruar agjencia prestigjoze e lajmeve “Associated Press” të enjten në një analizë për vendet që mund të rrezikohen nga një ndërhyrje potenciale sikur ajo që Rusia ka bërë në dy javët e fundit në Ukrainë. Kosova dhe Bosnja janë vendet e Ballkanit që mund të rrezikohen, sipas analizës. Moldavia e Gjeorgjia po shihen si vendet më të rrezikuara për shkak të afërsisë rajonale me vendin ku po zhvillohet lufta.

Për disa shtete të Evropës që po e shohin pushtimin rus të Ukrainës, ka frikë se mund të jenë ato caqe të ardhshme. Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se vendet më të cenueshme janë ato që s’janë anëtare të NATO-s apo të Bashkimit Evropian dhe ato që janë të vetme e të pambrojtura – përfshirë shtetin fqinj të Ukrainës, Moldavinë, dhe atë të Rusisë, Gjeorgjinë. Të dyja kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Krahas tyre, të rrezikuara janë edhe dy shtete të Ballkanit, Kosova dhe Bosnja.

Megjithatë analistët paralajmërojnë se edhe shtetet anëtare të NATO-s mund të jenë në rrezik, si Estonia, Letonia e Lituania afër Rusisë, si dhe Mali i Zi, qoftë nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake e Moskës ose nga përpjekjet për destabilizim politik.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “ka treguar që nga fillimi se kjo s’është vetëm për Ukrainën”, sipas Michael Baranowskit, drejtor i zyrës së “German Marshall Fund” në Varshavë.

“Ai na ka treguar se çka dëshiron të bëjë kur i kishte listuar kërkesat, që përfshinin ndryshimin e Qeverisë në Kiev, por edhe kur fliste për krahun lindor të NATO-s dhe pjesën tjetër të Evropës lindore”, ka thënë Baranowski për “Associated Press”.

Teksa Ukraina po reziston që dy javë, Baranowski ka thënë se “ende s’është e qartë se si Rusia do t’i realizojë qëllimet tjera”.

Administrata Biden është shumë e vetëdijshme për shqetësimet e thella në Evropë se lufta në Ukrainë mund të jetë vetëm hapi i parë për të zgjeruar sulmet tek ish-anëtarët e Paktit të Varshavës, si përpjekje për të rikthyer dominimin rajonal të Moskës.

Shefi i politikës së jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka paralajmëruar se “Rusia s’do të ndalet në Ukrainë”.

“Jemi të shqetësuar për fqinjët Moldavinë, Gjeorginë dhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai. “Jemi duke monitoruar Ballkanin Perëndimor, në veçanti Bosnjën, që mund të përballet me destabilizim nga Rusia”.

Moldavia

Analiza e “Associated Press” nis me përshkrimin e Moldavisë. Si shtet fqinj i Ukrainës, Moldavia ka pasur shpërthime të separatistëve. Edhe pse ky shtet është ushtarakisht neutral dhe s’ka plane t’i bashkohet NATO-s, Moldavia ka aplikuar për pranim në Bashkimin Evropian kur Rusia nisi pushtimin. Shteti me 2.6 milionë banorë është ndër më të varfrit në Evropë dhe po strehon dhjetëra mijëra ukrainas të larguar nga lufta. Shqetësimet për krizë humanitare janë shtuar ndjeshëm në Moldavi, sidomos për shkak të frikës se Putini mund të përpiqet të shfrytëzojë separatistët në lindje të vendit me Ukrainën nëpërmjet portit strategjik të Odesës. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi Moldavinë javën e shkuar dhe u shpreh se SHBA-ja qëndron me Moldavinë dhe çdo shtet që rrezikohet njëjtë.

Gjeorgjia

Lufta në mes të Rusisë dhe Gjeorgjisë shpërtheu në gusht të vitit 2008, kur trupat e qeverisë gjeorgjiane dështuan të rimarrin kontrollin mbi provincën e Osetisë Jugore. Rusia shkatërroi ushtrinë e Gjeorgjisë për vetëm pesë ditë. Më pas, Rusia e njohu këtë rajon dhe një tjetër, Abkhazinë, si shtete të pavarura dhe shtoi prezencën ushtarake. Qeveria me qasje perëndimore e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por s’ka treguar të njëjtin solidaritet që pati treguar Kievi gjatë luftës Gjeorgji-Rusi. Qindra vullnetarë nga Gjeorgjia ishin ndalur nga autoritetet për t’iu bashkuar brigadës ushtarake për të luftuar Rusinë në Ukrainë. Qëndrimi, në dukje neutral, i Gjeorgjisë ka rezultuar me mijëra njerëz të mbledhur në Tbilisi në shenjë solidariteti me Ukrainën. Javën e shkuar, Gjeorgjia aplikoi për pranim në BE pak ditë pasi deklaroi se s’do të përshpejtojë përpjekjet nga frika e pushtimit rus.

Baltiku

Kujtimet sovjetike janë të freskëta në Letoni, Lituani e Estoni. Që nga pushtimi i Ukrainës, NATO-ja ka lëvizur shpejt duke shtuar prezencën tek aleatët në krahun lindor, ndërsa Washingtoni është zotuar për ndihma shtesë. Për banorët e Baltikut – në veçanti për ato që ishin nën kontroll sovjetik – tensionet në prag të pushtimit të 24 shkurtit rikthyen kujtimet për shtypje e dëbime masive. Tri shtetet që ishin aneksuar nga Josef Stalini gjatë Luftës së Dytë Botërore rifituan pavarësinë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik më 1991. Ato iu bashkuan NATO-s më 2004, duke u vënë nën mbrojtje ushtarake të aleatëve të Perëndimit. Të tria kanë thënë se është e domosdoshme që NATO-ja të tregojë vendosmërinë jo vetëm me fjalë, por me çizme në terren. “Rusia gjithmonë e mat fuqinë ushtarake, por edhe vullnetin e shteteve për të luftuar. Sapo të shohin një dobësi, do ta shfrytëzojnë”, ka thënë Janis Garisons, sekretar i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes në Letoni.

Ballkani

Do të ishte e vështirë që trupat ruse të arrinin në Ballkan për shkak të forcave të NATO-s të stacionuara në të gjitha vendet fqinje. Por Moska mund ta destabilizojë rajonin, siç bën gjithmonë, me ndihmën e Serbisë, aleatin e vet të cilin e ka armatosur me tanke, sisteme të sofistikuara të mbrojtjes dhe aeroplanë lufte, ka shkruar AP. Kremlini gjithmonë e ka konsideruar rajonin si hapësirë për ndikim edhe pse s’ka qenë kurrë pjesë e bllokut sovjetik. Një luftë shkatërruese e të ’90-ave la të paktën 120 mijë të vdekur e miliona pa shtëpi. Serbia, si shteti më i madh në Ballkanin Perëndimor, nisi luftën duke u përpjekur ta ndalte me luftë shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Lëvizja ngjan me përpjekjet e Moskës për të kthyer Ukrainën brenda orbitës së vet, vazhdon tutje “AP”.

Sipas analizës, ka frikë në Perëndim që shteti prorus, i cili ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë, mund të përpiqet të përdorë vëmendjen e fokusuar në Ukrainë për të destabilizuar më tej fqinjët, në veçanti Bosnjën, ku komuniteti serb ka kërcënuar me ndarje territoresh. Serbia ka mohuar akuzat për destabilizim, por i ka dhënë përkrahje serbëve të Bosnjës dhe liderit të tyre, Milorad Dodik. Ambasada ruse në Bosnje vitin e shkuar paralajmëroi se Bosnja mund të marrë veprime drejt hyrjes në NATO e se Rusia duhet të reagojë për këtë. Paqeruajtësit e BE-së në Bosnje kanë shtuar edhe 500 trupa duke cituar “përkeqësimin e sigurisë ndërkombëtare që ka potencial për të përhapur destabilizim”.

Kosova

“Associated Press” ka shkruar për kërkesën që Kosova ia ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për krijimin e bazës së përhershme ushtarake në vend dhe për të përshpejtuar integrimin në NATO, pasi Rusia nisi pushtimin.

“Përshpejtimi i pranimit të Kosovës në NATO dhe një bazë e përhershme e forcave amerikane janë nevojë e domosdoshme për të garantuar paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, kishte shkruar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në Facebook.

Serbia e ka cilësuar të papranueshme lëvizjen.

Analiza vazhdon me faktin që Kosova njihet nga më shumë se 100 shtete, kryesisht perëndimore, por jo edhe nga Serbia e Rusia.

Për Malin e Zi, “Associated Press”, ka shkruar se shteti është i ndarë në mes të partive që përkrahin politika perëndimore dhe atyre ruse. Vendimi i shtetit që të vë sanksione ndaj Rusisë ka nxitur tensione. Rusia vazhdimisht ka paralajmëruar presidentin properëndimor të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, për pranimin në NATO, se lëvizja ishte e kundërligjshme dhe pa pajtim të të gjithë malazezëve. Rusia mund të shpresojë që të përmirësojë raportet me Malin e Zi për të rritur prezencën në Mesdhe.

E.B.