Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se në veri ka vakum institucional dhe u ka bërë thirrje serbëve që të kthehen në institucione. Gjatë një vizite në Prizren, ai i ka sugjeruar serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 23 prillit.
Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka vlerësuar se kthimi i serbëve të Kosovës në Polici dhe në organet e drejtësisë është i rëndësishëm për sigurinë dhe për sundimin e ligjit në veri të vendit.
një vizite në Prizren, ai tha se aktualisht ka vakum institucional në veri, përkundër faktit që janë dërguar pjesëtarë të Policisë nga stacione të ndryshme.
“Ne po mundohemi maksimalisht që t’i mbështesim institucionet e Kosovës, jo vetëm Policinë, por edhe organet e drejtësisë dhe natyrisht që është e rëndësishme që policët e komunitetit serb, të cilët janë dorëhequr, sa më shumë prej tyre të mund të kthehen dhe duhet të kthehen dhe kjo vlen edhe për drejtësinë, për gjyqtarët dhe prokurorët në Mitrovicë dhe komunat e tjera”, ka thënë Wigemark.
Ai sugjeroi edhe pjesëmarrjen e serbëve të veriut në zgjedhjet komunale të 23 prillit, pasi, sipas tij, bojkoti nuk është zgjidhje.
“Natyrisht BE-ja dhe SHBA-ja dhe të tjerët gjithashtu kanë inkurajuar serbët e Kosovës, posaçërisht në veri, që të marrin pjesë në proceset demokratike, të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, që janë caktuar për datën 23 prill dhe kjo vlen për të gjitha partitë politike, përfshirë Listën Serbe. Mospjesëmarrja ose bojkoti nuk është zgjidhje”.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar se me shefin e misionit të EULEX-it ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë, por edhe për perspektivën e Kosovës dhe të rajonit.
“Natyrisht u pajtuam se ka sfida, por u pajtuam se njëkohësisht ka edhe përparime dhe zhvillime dhe ne duhet ta mbajmë optimizmin tonë që me punë edhe me angazhim çdo gjë është e mundshme”, është shprehur Totaj.
Wigemark në Prizren ka takuar edhe kryetaren e Gjykatës Themelore dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore.