Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, bashkë me anëtarin e Kryesisë dhe kryetarin e Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia, sot takuan ambasadorin e Republikës së Çekisë, Pavel Bilek.
Përmes një postimi në Facebook, kanë thënë se përveç të tjerash, kanë diskutuar edhe për situatën politike aktuale në Kosovë.
Aty, theksohet se është e nevojshme që opozita e vërtetë e legjislaturës së gjashtë, të bëhet qeveria e mbarë e legjislaturës së shtatë.
“Biseda kryesisht u orientua rreth të ardhmes së BE-së dhe Ballkanit dhe rëndësisë që kanë këto për njëra-tjetrën. U diskutua edhe rreth zhvillimeve aktuale në skenën politike në Kosovë dhe programit qeverisës të Lëvizjes. Kryetari Kurti theksoi se është tejet e rëndësishme që opozita e vërtetë e legjislaturës së gjashtë të bëhet qeveria e mbarë e legjislaturës së shtatë. Pra, Qeveri e cila punon drejt zhvillimit të vendit, përmirësimit të mirëqenies dhe funksionimit të sundimit të ligjit. I ka ardhur fundi keqqeverisjes dhe Kosova mezi po i pret ndryshimet e domosdoshme”, thuhet në njoftimin e bërë publik të VV-së.
Kujtojmë se dje kreu i VV-së Albin Kurti e ai i LDK-së Isa Mustafa, janë takuar bashkë për të diskutuar po ashtu për gjendjen aktuale dhe për nevojën për të shkuar në zgjedhje.
Ata, përmes publikimeve në Facebook kanë thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë dhe se Kosovës i duhet një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve.