Arbëri

VV-ja zotohet se do të angazhohet për miratimin e projektligjit për arsimin e lartë

Lëvizja Vetëvendosje është zotuar se me ardhjen në krye të Qeverisë do të angazhohet në rishikimin e të gjitha ligjeve, përfshirë edhe projektligjin për arsimin e lartë duke e trajtuar me prioritet. Por, për projektligjin që nuk është dërguar në Kuvend, që nga tërheqja e tij në vitin 2017, për shkak të refuzimit të Listës Serbe për ta votuar, njohës të çështjeve të arsimit shprehen skeptikë se i njëjti mund të miratohet shpejt

Janë bërë gati 4 vjet qëkur projektligji për arsimin e lartë ishte tërhequr nga seanca e Kuvendit me arsyetimin se duhet të bëhen disa ndryshime. Edhe pse është hartuar një version i ri i atij projektligji, që nga atëherë më nuk ka pasur tentime për ta dërguar në Kuvend. Kjo për shkak se pengesë kryesore mbetet Lista Serbe pasi që për miratimin e tij duhen 2/3 e votave të pakicave.

Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje thotë se janë në dijeni për pengesat që mund t’i kenë nga pakicat serbe, por, sipas saj, do të përpiqen të gjejnë mënyra për ta dërguar këtë projektligj në Qeveri e për të proceduar tutje.

“Ne jemi dëshmitarë që për shkak të legjislacionit në fuqi, të gjitha ligjet në fushën e arsimit konsiderohen me interes vital andaj edhe kërkohet shumica e dyfishtë në Kuvend, gjë që ka qenë problematike për të kaluar ligjet në këtë fushë për një kohë të gjatë, por sido që të jetë menjëherë pas votimit të qeverisë se re do të shqyrtohen të gjitha ligjet përfshirë edhe ato të arsimit dhe ministri ose ministrja e re do t’i dërgojnë propozimet në qeveri dhe do të trajtohet me shumë prioritet ose profesionalizëm”, ka thënë ajo.

Sipas saj, sfidat me të cilat do të ballafaqohet Qeveria Kurti nuk do të jenë të vogla dhe do të lidhen edhe me legjislacionin në fuqi, por kjo, sipas saj, duhet t’i shtyjë të punojnë edhe më shumë për gjetjen e zgjidhjeve.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, meqë është hartuar versioni i ri i projektligjit për arsimin e lartë, i njëjti do të duhej të shqyrtohej nga legjislatura e re. Por problemi, sipas tij, është politik.

“Kjo është një çështje e ngarkuar politike, e cila nuk ka të bëjë vetëm me arsimin, por me praninë e shtetit serb në Kosovë, e cila është shumëdimensionale dhe thjesht kjo mund të zgjidhet vetëm me ndryshime kushtetuese, ku komunitetit serb i hiqet e drejta e vetos në raport me legjislacionin ose një marrëveshje ta quajë historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk është ende në horizont”, ka thënë ai.

KOHA ka pyetur Ministrinë e Arsimit se çka ka ndodhur me këtë projektligj dhe përse nuk është proceduar tutje deri tash, por nuk ka marrë përgjigje.

Në vitin 2017, kur ky projektligj ishte tërhequr nga Kuvendi, ministri i atëhershëm i Arsimit, Arsim Bajrami, pati thënë se për herë të parë në këtë dokument, Universiteti i Mitrovicës së Veriut figuron si Universitet i Republikës së Kosovës e që për serbët konsiderohet e papranueshme.