Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare të Kuvendit të Kosovës, ka thënë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se po ashtu nuk ka thirrur asnjë takim konsultativ me partitë politike para seancës së thirrur për të premten prej orës 10:00.
Të premten pritet që të dalë për herë të katërt për votim emri i Haxhiut. Në tri herët e para, Haxhiu mori 57 vota pro dhe konstituimi i Kuvendit u shty vazhdimisht. Të premten do të jetë përpjekja e gjashtë për konstituimin e Kuvendit. Bllokada fillimisht ishte te raporti për verifikim të mandateve, para se të bllokohej tek emri i kryeparlamentarit.
Partitë që në legjislaturën e shkuar ishin në opozitë votuan kundër zgjedhjes së Haxhiut në seancën e fundit. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar nga VV-ja që të ndërrojë kandidatin, duke e konsideruar Haxhiun si jounifikuese.