Arbëri

VV-ja premton reforma të shumta në arsim, ekspertët skeptikë

Lëvizja Vetëvendosje synon që brenda dy mandatave të qeverisjes të bëjë reforma në arsim dhe ta përmirësojë e depolitizojë gjendjen në këtë sektor. Përfaqësues të kësaj partie thonë se sfida kryesore për ta do të jetë ta rikthejnë arsimin në rrugën e drejtë. Ndërkohë njohës të kësaj fushe vlerësojnë se nuk mund të bëhen ndryshime pa u caktuar një vizion i qartë se ku do të jetë arsimi në 10 vjetët e ardhshëm

Përfshirje më të madhe të fëmijëve në edukimin e hershëm, avancim të shkollave profesionale e ndërlidhje me tregun e punës, pavarësi të Agjencisë së Akreditimit dhe riantarësim në institucionet evropiane, janë disa nga objektivat që po synon t’i realizojë Lëvizja Vetëvendosje në arsim gjatë mandatit qeverisës.

Ndryshimet në këtë sektor, sipas Fitim Ukës nga Vetëvendosje, do të nisin që nga arsimi i hershëm. Kjo parti ka paraparë edukim të hershëm pa pagesë për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike.

“Ndërkaq në arsimin e lartë ne fillimisht jemi për një arsim pa pagesë për të gjithë studentët, e dyta për një arsim të lartë të depolitizuar komplet dhe këtë depolitizim mëtojmë ta bëjmë me pavarësinë e plotë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe fuqizimin e këtij institucioni duke i pajisur edhe me resurse të reja humane, të cilat do të mund ta bëjnë edhe sjelljen e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë”, thekson Uka.

Këto ndryshime, sipas tij, do të jenë më se të mundshme për dy mandate të plota.

“Reforma në arsim nuk mund të ndodhë në një periudhë 4-vjeçare, jemi në dijeni, por ajo çka ka ndodhur në vitet e kaluara është që lëre që nuk kemi pasur reformë, por e kemi humbur komplet rrugën në fushën e arsimit dhe besoj që sfida kryesore do të jetë ta rikthejmë arsimin në rrugën e drejtë e të kemi mundësi pastaj që intervenimet e tilla t’i realizojmë më lehtë, më thjeshtë dhe të japim rezultatin e dëshiruar”, shton ai.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, është skeptik se do të arrihen rezultate pa e pasur një vizion të qartë se si do të bëhen këto reforma.

Me këtë program, sipas tij, Vetëvendosje nuk mund ta nxjerrë arsimin nga kriza.

një vizion prej më së shumti 25 fjalëve, se ku do të jetë arsimi i Kosovës brenda këtyre 10 vjetëve dhe ai vizion duhet të përhapet. Nuk ka mundësi të bëhen ndryshime në arsim pa e caktuar qëllimin moral të ndryshimeve të thella, të përcaktosh dobitë që do t’i kenë qytetarët e Kosovës nga sistemi i edukimit dhe arsimit. Vetëvendosje nuk e ka të qartë qëllimin moral të ndryshimeve në arsim”, deklaron Hyseni.

Sipas tij, është mirë të bëhet planifikimi për rritjen e numrit të fëmijëve në edukimin e hershëm.

Megjithatë, shton se duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në fakultetet që përgatisin kuadro për mësim, sepse me organizimin aktual dhe kapacitetet intelektuale nuk ka gjasa teorike që mësimdhënësit të përgatiten për mësimdhënie të shekullit XXI.

Vetëvendosje ka premtuar gjithashtu digjitalizim të arsimit, largim të notimit për klasat 1-4, shpërblime për mësimdhënësit në bazë të performancës e punë praktike për studentët në të gjitha institucionet publike.