Arbëri

VV-ja në Prishtinë kritikon Ramën për tenderin 12-milionësh

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka vazhduar kritikat për kreun e Komunës, Përparim Rama, në lidhje me tenderin 12-milionësh për konsulencë për themelimin e shërbimit të arkitektit të kryeqytetit për nevoja të Komunës.

Në një konferencë për shtyp të enjten, asamblistja e VV-së, Triera Kasumi, ka thënë se kryeqyteti ka një listë të gjatë problemesh kronike, por sipas saj, jepet një tender milionësh që është sa 13 për qind e buxhetit vjetor.

“Komuna e Prishtinës me rreth 200 mijë banorë karakterizohet si qyteti me më së shumti qenë endacakë në rajon, është mbuluar nga mbeturinat, ka mungesë të ujit të pijshëm, plaçkitje e qytetarëve për parkingje publike e një listë të gjatë që tregojnë problemet kronike të Prishtinës. Por jepet një tender 12-milionësh që është sa 13 për qind e buxhetit vjetor, apo sa është granti i Qeverisë për Komunën. Ky tender nënçmon çdo punonjës në këtë komunë që e ka pagën 600 herë më të vogël”, ka thënë Kasumi, e cila shtoi se “vjen nga Lista Guxo”.

Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, u shpreh se nga kryetari Rama nuk po ka punë konkrete.

“Janë bërë tetë muaj prej që Përparim Rama e ka marrë pushtetin. Sot, Prishtina është në gjendje më të keqe se para tetë muajve. Janë probleme reale, elementare, të thjeshta, të cilat zgjidhen lehtë, mjafton vetëm vullnet dhe vizion. Disa probleme janë të trashëguara, disa kanë ardhur bashkë me Përparimin. Po ka shumë marketing, shumë kamuflime e punë konkrete hiç. Është shqetësues fakti se kryetari Rama ka filluar të ndihet rehat në këtë parehati të qytetarëve”, ka thënë ai.