Arbëri

VV-ja në Gjakovë kërkon që parkingjet t'i jepen në shfrytëzim Stacionit të Autobusëve

"Propozuam që të gjitha parkingjet në qytetin e Gjakovës t'i jepen në shfrytëzim Ndërmarrjes Komunale 'Stacioni i Autobusëve' në mënyrë që kjo ndërmarrje që me vite përballet me vështirësi, të ngritë të hyrat, të zgjerojë kapacitetet e shërbimeve dhe të krijojë vende të reja të punës", ka bërë me dije Ali Tafarshiku, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjakovës nga radhët e Vetëvendosjes, për një ide që e ka prezantuar në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF).

Ai ka kërkuar mbështetje nga Komuna e Gjakovës për këtë propozim.

Derisa Ligji për Dhënie në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, parasheh dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës përmes procedurave të ankandit publik, shprehjes së interesit; dhe negociatave të kryetarit të komunës, Lëvizja Vetëvendosje mendon se iniciativa e saj mund të realizohet nëse ndiqet procedura e negocimit të kryetarit të komunës.

Kjo parti i ftoi subjektet tjera që në seancën e radhës të Kuvendit Komunal ku pritet të vendoset rreth kësaj çështjeje, të përcaktohen për këtë opsion.

"Të jesh opozitë, nuk do të thotë vetëm të kundërshtosh dhe kritikosh, por edhe të japësh alternativa për proceset që e përmirësojnë efikasitetin e qeverisjes", ka thënë Tafarshiku.

Sipas Tafarshikut në seancën e ardhshme do të vendoset për mënyrën e dhënies në shfrytëzim të parkingjeve, të cilat më herët janë shfrytëzuar nga operatorë të ndryshëm.

Image

Të premten Ferdinand Kolaj, kreu i PSHDK-së në Gjakovë, parti kjo pjesë e pushtetit në koalicion me AAK-në, ka thënë se nuk mund të jap ndonjë vlerësim për iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje rreth parkingjeve.

"Nuk kemi diskutuar si subjekt rreth kësaj çështjeje", ka thënë shkurt Kolaj për KOHËN.

I njëjti ka theksuar se nuk ka as ndonjë mendim personal rreth kësaj nisme, pa u bërë vlerësimi nga subjekti.

Hajdar Beqa, kreu i degës së PDK-së në Gjakovë, po ashtu parti në pushtetin lokal në saje të koalicionit me AAK-në, ka thënë për KOHËN se Vetëvendosje nuk e ka hapur këtë temë me partinë e tij.

"Vetëvendosje nuk ka biseduar me neve për këtë temë dhe për rrjedhojë nuk e kemi biseduar këtë çështje me strukturat tona. Mund ta shqyrtojmë si opsion, por nuk mund të them diçka më shumë për momentin", ka thënë ai.

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, nuk është përgjigjur në thirrjet e KOHËS, për të dhënë një përgjigje rreth nismës së Vetëvendosjes për parkingjet komunale.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Gjakovës, Shkumbin Kastrati, ka thënë për KOHËN se çështja e marrjes së vendimit për dhënien në shfrytëzim të parkingjeve komunale është kompetencë e legjislativit dhe kryetarit të komunës.

"Ne si pjesë të ekzekutivit vetëm mund t'i zbatojmë ato vendime", ka theksuar ai.

Ndërkaq drejtori i Stacionit të Autobusëve në Gjakovë, Flamur Bicurri ka thënë se nuk është në dijeni rreth iniciativës së Vetëvendosjes, por e ka pëlqyer shumë atë.