Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Plani Zhvillimor Komunal i Komunës së Prishtinës është i paligjshëm dhe në dëm të interesit publik, duke shtuar se plani i shërben vetëm “grupeve të caktuara dhe emrave të përveçëm” që lidhen me kryetarin Përparim Rama.
LVV-ja ka thënë se LDK-ja të enjten ka thirrur mbledhje në Kuvendin Komunal me qëllim të kalimit të Planit Zhvillimor Komunal.
“Vlen të theksohet se përkundër marrëveshjeve të fshehta e të dyshimta që Kryetari Rama dhe partia e tij kanë bërë me parti tjera apo me asambleistë të caktuar, në mbledhjen e kaluar të kuvendit, datë 28 qershor, i njëjti propozim nuk i kishte votat e nevojshme dhe nuk kaloi. Draft-dokumenti i Planit Zhvillimor Komunal, të cilin në çdo formë dhe me çdo kusht po insistojnë ta kalojnë qeverisja aktuale në Prishtinë, është i paligjshëm, me shumë të meta procedurale e përmbajtësore dhe është në shërbim të grupeve të caktuara dhe të emrave të përveçëm të pushtetit aktual komunal”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, ky plan përmban 28 komente negative nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Plani Zhvillimor Komunal determinon drejtimin e zhvillimit të qytetit për një periudhë tetë vjeçare. Andaj, në një situatë të tillë, është e papranueshme dhe e dëmshm që zhvillimi i Prishtinës të përcaktohet nga një dokument që në vete përmban 28 komente negative, të gjetura nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si organ mbikëqyrës i shkallës së dytë. ‘Zgjerimi i kufirit të zonave për ndërtim duke ndërhyrë edhe në zonat nën mbrojtje të natyrës, ujërave dhe tokës nën sistemin e ujitjes; ndërtim të korridorëve të rrugëve përgjatë tokave bujqësore të kualitetit të lartë; zgjerim i vendbanimeve në pjesën veriore, në kundërshtim me Ligjin për Tokën Bujqësore; dokumenti analizë e vlerësimit të ndikimit në ambient e vitit 2021; ndryshim substancial nga drafti paraprak i dorëzuar e për të cilin janë mbajtur dëgjimet publike’ - janë vetëm disa nga të gjeturat e MMPHI-së në draftin e propozuar. Prishtinës i duhet Plani Zhvillimor Komunal, sikurse i duhen edhe një varg dokumente e rregullore tjera me të cilat ky pushtet tash e tre vjet nuk është marrë fare. Megjithatë, Prishtina dhe qytetarët e saj nuk ia kanë borxh Përparim Ramës dhe partisë së tij realizimin e përfitimeve individuale dhe partiake në dëm të interesit publik, duke shkelur të gjitha aspektet ligjore dhe me pasoja të pariparueshme për qytetin”, vijon tutje reagimi.
LVV-ja u ka bërë thirrje të gjithë asamblistëve të mos e mbështesin draft-dokumentin.
“Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje të gjithë këshilltarëve komunal të Kryeqytetit, nga të gjitha subjektet politike, që interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Prishtinës ta vendosin para interesit individual e partiak dhe të mos bëhen mjet për realizimin e qëllimeve personale të Ramës me shokë”.