Egzon Azemi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar rrënimin e një ndërtesë ditën e shtunë, në lagjen Lakrishtë të Prishtinës.
Në një konferencë për media bashkë me arkitektin Driton Ibrahimi, Azemi ka thënë se ndërtesa e rrënuar ka të bëjë me material të azbestit.
“Është e pakuptueshme se si në Kuvendi Komunale partitë tjera po na e pamundësojnë një gjë të tillë. Edhe disa jave më parë është rrënuar një objekt i tillë në orët e hershme të mëngjesit. Dje gjithashtu informacionet e para i kemi marrë nga banorët e lagjet, dhe fatmirësisht që inspektorati e edhe Policia kanë ardhur për t’i ndaluar këto punime deri të hënën”, ka thënë Azemi.
Ai i ka ftuar edhe partitë e tjera politike që të mos heshtin kundër veprimeve, që ai i ka quajtur kriminale.
Ndërkaq, Driton Ibrahimi ka thënë se zona duhet të shënohet dhe mbulohet si zonë e rrezikshme.
Sipas tij, nëse kjo nuk bëhet, shkolla “Xhevdet Doda” që gjendet afër nuk duhet të hapet.
“Zona duhet të shënohet e mbulohet si zonë e rrezikshme, duhet të mbulohet me një shtresë të betonit që mbulon shtresat e azbestit. Nëse kjo nuk bëhet neser nuk duhet të hapet shkollat Xhevdet Doda që gjendet afër aty”, ka thënë Ibrahimi.
Disa objekte të Ndërmarrjes Publike Banesore në lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë janë rrënuar të shtunën në mesditë.
Drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Adonis Tahiri, ka thënë për KOHËN se NPB-ja ka lejen për rrënim të objekteve.
NPB-ja është duke i rrënuar objektet për shkak të investimeve të saja në atë pjesë. NPB-ja po synon të ndërtojë aty një ndërtesë të lartë. Thirrja për bashkë-investim potencial ka zgjatur vetëm dy ditë dhe kjo ka ngritur dyshime tek opozita. Komuna dhe Ndërmarrja janë akuzuar se këtë projekt po e mbajnë të fshehur nga publiku.