Arbëri

VV-ja kërkon arrestimin e kryetarit të Lipjanit për rastin e stadiumit në Magurë

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Lipjan, ka akuzuar qeverisjen lokale me në krye Imri Ahmetin për keqpërdorim të parasë publike dhe korrupsion në këtë komunë.

Pas arrestimit të nëntë zyrtarëve të kësaj komune për dëmtim të buxhetit përmes pranimit të punimeve në stadiumin e Magurës, kjo degë e LVV-së ka reaguar duke thënë se zyrtari i 10-të që duhet të arrestohet është vetë Ahmeti.

Kjo parti ka akuzuar Ahmetin se qëndron prapa çdo keqpërdorimi e manipulimi që ndodh brenda komunës.

“Keqpërdorimi i parasë publike e korrupsioni në Komunën e Lipjanit ka kohë që ka përfshirë secilin projekt e tenderë, por aftësia për t'i mbuluar e fshehur ato nga ana e qeverisjes lokale dhe Kryetarit Imri Ahmeti dukej se po funksiononte. Megjithatë, pas arrestimit të mëparshëm të zyrtarëve të Bujqësisë, sot u njoftuam për arrestimin e nëntë zyrtarëve tjerë të Komunës së Lipjanit për dëmtimin e buxhetit përmes pranimit të punimeve në stadiumin e Magurës i cili kurrë nuk ka përfunduar, por mbetet një gërmadhë. Sidoqoftë zyrtari i dhjetë që duhet të arrestohet, është Imri Ahmeti. Kryetari i Komunës qëndron mbrapa çdo keqpërdorimi, investimi e manipulimi, i cili vjelë përfitimet nga këto keqpërdorime”, thuhet në reagimin e LVV-së, dega në Lipjan.

Më tej potencohet se Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar prokurorinë për hetim për, siç pretendohet, abuzimet e shkeljet në projektin e Stadiumit të Magurës.

“Ne i bëjmë thirrje hetuesisë e prokurorisë që të zgjerojë hetimet edhe tek Kryetari Imri Ahmeti e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë keqpërdorur e kanë përfituar. Ky është fillimi i fundit të Imri Ahmetit. Populli thotë: kungulli mbi ujë nuk të shkon gjithë”, thuhet më tej në reagim.

Të dyshuarit Xh. M., K. S., V. M., L. D., E. E., Rr. O., dhe I. J. dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe obligimet sipas kontratës, ku punimet nuk janë përfunduar siç është paraparë me kontratë. Ata akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, me ç’rast dyshohet se i kanë shkaktuar dëme buxhetit komunal në vlerë rreth 300 mijë euro.