Arbëri

VV-ja ironizon me kryetarin e Vitisë duke krijuar një rrethrrotullim prej gomave

Mosrregullimi i udhëkryqit Pozheran-Viti ka bërë që aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të dalin në rrugë dhe të vendosin disa goma duke ironizuar me rrethrrotullimin i cili ishte premtuar nga pushteti aktual në Viti. I njëjti projekt ishte paraparë me planin e mobilitetit.

VV-ja në këtë komunë ka deklaruar se për shkak të mosrregullimit të udhëkryqit kanë ndodhur shumë aksidente.

Këshilltarja komunale, Liridona Bislimi deklaron se kryetari i komunës nuk ka qenë i interesuar të investojë në rregullimin e udhëkryqeve pavarësisht se kjo çështje ishte diskutuar edhe në Kuvendin Komunal. Ajo thotë se mjetet financiare ishin orientuar në projekte tjera.

“Për këtë rreth është folur edhe në mandatin e kaluar me planin e mobilitetit është paraparë një rrethrotullim por ai plan nuk është realizuar. Në këtë mandat ka pasur premtime që do të bëhet ndarja e buxhetit qoftë për rrethrroutllim apo semafor. Por siç po shihni deri tani nuk ka asgjë konkrete” ka thënë ajo.

Sipas saj qarkullimi në këtë rrugë është i madh dhe duhet mobilizim që sa më parë të fillojnë punimet.

Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka deklaruar se ata janë duke implementuar planin e moblitetit gradualisht duke u bazuar në buxhetin që ata kanë. Haliti i ka deklaruar Kohës se ata kanë investuar në qendër të qytetit ashtu siç parashihet me plan të mobilitetit dhe do të vazhdojnë të investojnë edhe në rrugë tjera ashtu siç parashihet me plan.

Ndërkaq drejtori komunal i Inspeksionit, Skënder Ahmeti, ka deklaruar se komuna parasheh që udhëkryqi Pozheran-Viti të rregullohet me semafor. Dhe se komuna ka të lidhur kontratën me kompaninë e cila do të merret edhe me këtë udhëkryq.