“Absurde” e ka cilësuar Lëvizja Vetëvendosje akuzën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) se partia në pushtet po i bën presion Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Zëdhënsi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka shkruar në Facebook se ankesa e tyre në PZAP është ushtrim i një të drejte ligjore, me qëllim të moscenimit të së vullnetit qytetar.
Ai ka thënë se kërkesa e VV-së është që të evidentohet dhe të anulohet “skema e organizuar nga qarqe brenda LDK-së me qëllim manipulimi dhe deformimi të vullnetit qytetar”.
“Por, reagimi i LDK-së që i drejtohet LVV-së, në fakt i shkon edhe zyrtarëve e kandidatëve të vet LDK-së të cilët tashmë hapur kanë folur për këtë skemë manipulimi edhe brenda vet subjektit të tyre. Në fund, ankesa e LDK-së mbi ankesën legjitime të LVV-së në të vërtetë paraqet presion. Ky është presion direkt mbi vet PZAP dhe për të ndikuar në vendim e këtij institucioni që në fakt do të nxjerrte një të vërtetë të vetme: skemën e hajnisë së vullnetit qyetarë duke dëmtuar kështu edhe subjektet e tjera, por edhe duke ndryshuar vet përbërjen e grupit parlamentar të LDK-së”, thuhet në reagim.
Ai ka shtuar se Kosova duhet të ecën përpara, me standarde të larta si garantimi i zgjedhjeve të lira.