Arbëri

VV-ja i pret në aeroport mbështetësit nga mërgata

Një ditë para datës së zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shënuar ndonjë aktivitet sikurse ka bërë gjatë një muaji. Megjithëkëtë, zyrtarë të saj, përfshirë kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, kanë pritur në Aeroportin e Prishtinës mbështetësit nga mërgata.

Kryeministri Albin Kurti që synon edhe një mandat, si dhe kandidatë për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë pritur mbështetës të tyre të shtunën në Aeroportin e Prishtinës.

“Mërgata fluturon, voton dhe feston”, është mesazhi që është sjellë nga një numër mërgimtarësh.

Kurti u është bashkuar atyre për fotografi e për të brohoritur numrin e Vetëvendosjes në këto zgjedhje.

Disa prej kandidatëve i janë bashkuar edhe festës që është zhvilluar në hapësirat e aeroportit.

Ndryshe nga partitë tjera, Lëvizja Vetëvendosje tubimin përmbyllës e ka mbajtur të premten mbrëma në Prishtinë.

E një ditë para ditës së zgjedhjeve, këtij subjekti politik i ka ardhur një mesazh mbështetës nga Franca.

Sekretari i parë i Partisë Socialiste të Francës, Olivier Faure, ka bërë thirrje për mbështetje të Vetëvendosjes e të Albin Kurtit.

Ai ka thënë se gjatë këtij mandati, Qeveria ka siguruar stabilitet në Kosovë e me gjithë pengesat ka orientuar vendin drejt standardëve evropiane.

“Dhe sot arritjet janë të dukshme. Si në rastin e mbështetjes për foshnjat, pastaj rritjes së pensioneve, shkollimit universitar falas, përfshirjes së grave dhe të të rinjve në tregun e punës, deri te ai i mbështetjes për tranzicion ekologjik. Për të gjitha këto arritje mund të jeni krenarë dhe po ashtu t’i thoni vetes se sot jeni në rrugën e duhur që nesër Bashkimi Evropian t’ju hapë dyert e tij”, tha Faure.

Kurti ka pranuar mbështetje edhe nga ish-kongresisti republikan i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Joe DioGuardi.

Derisa dita e fundit e fushatës nuk është shënuar me ndonjë aktivitet nga Kurti, ai ka përmbledhur ato që janë zhvilluar në dy ditët e fundit në Prishtinë, Pejë, Drenas, Klinë, Istog, Malishevë, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut.