Arbëri

VV-ja i ka numrat për Qeverinë, por jo për kryetaren e Kuvendit - sipas Bashës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka përsëritur se interesi i partisë së tij nuk është që të bllokohet procesi drejt konstituimit të institucioneve, e po qe se do të donte ta bënte një gjë të tillë, ai shtoi se LVV-ja nuk do të propozonte kandidat për kryeparlamentar.

Ai ka theksuar se LVV-ja i ka numrat për formimin e qeverisë, megjithatë jo edhe ata për Kuvend. Ai ka refuzuar të tregojë se çfarë ka negociuar VV-ja për t'i siguruar numrat për qeverinë. 

Basha ka thënë se partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duhet të votojnë emrin e kandidates së LVV-së për kryekuvendare, pasi sipas kësaj logjike ai ka thënë se edhe LVV-ja nuk do të votojë më pas nënkryetarët.

“Duhet me pasë kujdes ata kur futen me një rrugë, njëjtë si e raporti i verifikimit të mandateve. Hynë në një rrugë pa krye, thoshin jokushtetuese, në fund e panë se nuk mund ta refuzosh mandatin tënd. Edhe kjo, kryesia e Kuvendit përbëhet prej tri partive më të mëdha dhe kërkohet prej të triave me i thirrë arsyes për t’i formuar të trijat. Përndryshe ata e bllokojnë të parin, ne të dytin dhe nuk kemi konstituim”, u shpreh ai në “60 Minuta” në KTV.

Basha ka shtuar tutje se nuk mendojnë për ndërrim të emrit të kandidatit për kryetar të Kuvendit. Siç u shpreh ai, “nuk është për t’iu pëlqyer opozitës” meqë i takon partisë së parë ta propozojë.

“Njëjtë si  te verifikimi mandateve, u dëshmua se partitë opozitare e bllokuan për një kohë por më pas e panë se gabuan dhe vazhduan, besoj se e njëjta do ndodhë edhe më këtë ku do t’i thirrin arsyes dhe do ta votojnë. Nuk është e vërtetë, nuk janë ofruar dorëheqjet. Asnjë ndryshim nuk ka ndodhur prej 15 prillit deri në seancën kur e kanë votuar raportin. E panë që janë gabim, e votuan raportin. Besoj e njëjta do ndodhë nesër me kandidatin për kryeparlamentar”.

Basha ka potencuar se pret që të mërkurën të ketë takim mes partive për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e situatës në Kuvend

“Besoj që po, këtë veç e ka bë Konjufca, propozuesi i mandatares. Thirrja është publik, ku kërkohet një marrëveshje politike, të ulen në tavolinë dhe të gjejnë rrugë përpara. Sepse nëse ata duan me blloku zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, me të njëjtën logjikë ne i bllokojmë nënkryetarët dhe Kuvendi nuk konstituohet asnjëherë. Kjo nënkupton që kërkon një marrëveshje politike mes tri partive, LVV-PDK-LDK”, ka theksuar Basha.