Arbëri

VV-ja feston, opozita e kënaqur me rritjen

Albin Kurti

Ditës së zgjedhjeve e cila kaloi pa asnjë incident dhe Kosova u përgëzua për kulturën demokratike dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në votime, i la hije të keqe në mbrëmje Komisioni Qendror Zgjedhor me dështimin që t’i publikojë në kohë rezultatet e zgjedhjeve për partitë politike

Ditës së zgjedhjeve, e cila kaloi pa asnjë incident, i la hije të keqe në mbrëmje Komisioni Qendror Zgjedhor me dështimin që t’i publikojë në kohë reale rezultatet e zgjedhjeve për partitë politike. E sipas rezultateve të publikuara nga partitë politike dhe Koalicioni i organizatave të Shoqërisë Civile, Demokracia në Veprim, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve me 40.4 për qind. E dyta ka dalë PDK-ja, e treta LDK-ja dhe i katërti koalicioni AAK-Nisma

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me mbi 40 për qind të votave, sipas rezultateve të publikuara nga partitë politike, Demokracia në Veprim dhe një projeksioni i publikuar nga “KOHA”. E dyta ka dalë Partia Demokratike me mbi 20 për qind, pasuar nga LDK-ja me 18 për qind e AAK-Nisma 7.6 për qind. Pragun prej pesë për qind nuk e kaloi Lista për Familjen që arriti të marrë vetëm rreth 2 për qind.  

Ditës së zgjedhjeve e cila kaloi pa asnjë incident dhe Kosova u përgëzua për kulturën demokratike dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në votime, i la hije të keqe në mbrëmje Komisioni Qendror Zgjedhor me dështimin që t’i publikojë në kohë rezultatet e zgjedhjeve për partitë politike.

Edhe pse me Ligjin e ri për zgjedhjet ishte thënë se rezultatet preliminare të partive do të publikohen në afat rekord, kjo nuk ndodhi.

Për më shumë se tri orë, platforma online e KQZ-së ishte jashtë funksionit.

Fillimisht u paraqitën si të numëruara më shumë se 23 për qind të votave, e më pas edhe mbi 50 për qind, por që ka pasur mospërputhje të votave të përgjithshme të paraqitura, me ato nëpër komuna të caktuara.

Shifrat fillestare të publikuara nga KQZ-ja në platformën online nxitën reagime të mëdha pasi e nxorën fituese Vetëvendosjen me mbi 55 për qind. Më pas zyrtarë të KQZ-së njoftuan se po përballen me probleme teknike, ku për shkak të interesimit të madh faqja ka pasur mbingarkesë në sistem.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencë për media para mesnatës tha se për dështimin e sistemit do ta bëjnë një analizë më vonë.

Sipas tij, të dhënat preliminare për zgjedhjet parlamentare do të mblidhen manualisht për shkak se platforma nuk po funksionon.

Ai ka garantuar se nuk do të ketë ndikim në rezultate. Ndërsa pasi të grumbullohen në mënyrë manuale, tha se të dhënat do të futen në internet. Por nuk ka dhënë afat kohor se kur mund të ndodhë kjo.

“Gjithçka ishte gati t’i transmetojmë rezultatet preliminare edhe në të kaluarën, aplikacioni nuk ka funksionuar, nuk po arrijmë t’i transmetojmë të dhënat përmes platformës. U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve. Në këto rrethana kemi shqyrtuar situatën dhe do t’i mbledhim të dhënat në mënyrë manuale. Sigurojmë qytetarët që mostransmetimi i të dhënave preliminare përmes platformës elektronike nuk ka ndikim në rezultat. Pasi t’i grumbullojmë do t’i publikojmë, nuk e di, në orën 3 apo 4 të mëngjesit”, ka thënë Radoniqi.

Ai nuk e mohoi as pohoi nëse prokuroria ka shkuar në KQZ për t’i hetuar problemet me sistemin.

“Prokurorët kanë qenë gjatë tërë ditës në KQZ. Ishte e papritur edhe për ne dështimi i sistemit. Dua t’i sigurojë të gjithë se integriteti i votës është i sigurt dhe formularët janë plotësuar nga numërimi i votave”, ka thënë Radoniqi. “Formularët do të dërgohen te ne nga zyrtarët”, ka shtuar ai.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Pas njoftimit për dështim të softuerit për publikim të votave online, presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor.

“Presidentja e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike. Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë”, thuhet në një deklaratë të presidentes në faqen e Presidencës në Facebook.

Deklarata vazhdon duke thënë se presidentja do të jetë në kontakt me institucionet deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar.

DNV-ja e nxjerr fituese LVV-në

Rezultate preliminare, disa orë pas mbylljes së vendvotimeve, i publikoi edhe koalicioni i organizatave “Demokracia në Veprim”.

Sipas numërimit të votave në 98 për qind të vendvotimeve, ky koalicion tha se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.4 për qind, me marzhë gabimi prej 1.44 për qind. Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 21.7 për qind, me marzhë gabimi 1.45 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.5 për qind, me marzhë gabimi 0.97 për qind. Koalicioni AAK-Nisma i katërti me 7.2 për qind, me marzhë gabimi 0.82 për qind dhe koalicioni për Familjen ka 2.4 për qind.

Krahasuar me zgjedhjet e para katër viteve, i bie që LVV ka rënie me 10 për qind. Sipas shifrave të DNV-së, rritjen më të madhe e kanë dy partitë opozitare PDK e LDK. Derisa në vitin 2021, PDK kishte 17 për qind, tani i ka 21.7. LDK nga 12,7 për qind në 2021-n, sipas DNV-së, tash i ka marrë 17,5 për qind. AAK-Nisma ka mbetur thuajse njëjtë - nga 7,1 për qind më 2021 është ngritur në 7.2 për qind. Sa u përket rezultateve nga partitë e komunitetit më të madh jo shumicë - serbëve, Lista Serbe është fituese me 5.4 për qind.

Sipas numërimit të votave nga Demokracia në Veprim, partia “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” e Nenad Rashiqit ka arritur të sigurojë 0.6 për qind të votave në nivel vendi dhe kjo i mjafton që të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, në hapësirën prej 10 ulësesh për partitë e komunitetit serb.

Deri tash, Lista Serbe vazhdimisht i ka pasur të 10 ulëset e rezervuara.

Ndërkaq Projeksioni i Kohës që u publikua pas mbylljes së vendvotimeve, e nxori si parti fituese Lëvizjen e Vetëvendosje me 42.3 për qind, PDK-në të dytën me 21.3 për qind, LDK-në me 20.4 për qind dhe AAK-Nismën me 6.3 për qind.

Kurti thotë se do ta formojnë Qeverinë

Me gjithë rënien krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve, para zyrave të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë janë ndezur fishekzjarrë.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti pas mesnatës ka pasur dy paraqitje ku e shpalli fitoren, në koalicion me Listën Guxo dhe Alternativën.

Ai para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deklaroi se procesi zgjedhor ishte demokratik e paqësor, tek ka përmendur Serbinë.

Kurti ka thënë se asnjëherë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie, derisa ndaj opozitës përdori termin “hajvan”.

“Kurrë s'është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie. Me oligarkë që japin para pa hesap, e me opozitë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë. Edhe prapë se prapë kanë humbur, kanë me mbet opozitë, sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit”, ka deklaruar Kurti.

Në paraqitjen e parë tek selia qendrore e VV-së, Kurti tha se fitorja është  një konfirmim “për qeverisjen mirë, të mbarë e demokratike”.

“Gjithashtu koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re Kurti 3, dhe në këtë mënyrë do t’i vazhdojmë edhe punët e nisura. Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar rezistencën e tyre kundër një lufte të paparë hibride që është bërë kundër koalicionit tonë. Ka pasur premtime edhe irracionale. Përkundër kësaj LVV fitoi dhe ne jemi subjekti fitues që do ta formojë qeverinë e ardhshme”, ka thënë ai.

PDK: Sukses i pamohueshëm me mbi 200 mijë vota

Atë që nuk e bëri KQZ-ja me publikimin e rezultateve, e bënë partitë opozitare që prezantuan të dhënat që mblodhën nga terreni.

E kënaqur me rritjen në këto zgjedhje është shfaqur Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi i fushatës së PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve kanë treguar se shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën qeverisë Kurti dhe po kërkojnë ekzekutiv të ri. Ai e ka konsideruar sukses të pamohueshëm rezultatin e PDK-së si forcë e dytë më e madhe në vend.

“Jemi në situatë të pazakontë, ku ne si parti duhet t’i kallëzojmë votat, dhe jo KQZ-ja. PDK-ja ka arritur rezultat të madh, është konfirmuar si forca e dytë më e madhe në vend me mbi 200 mijë vota. Falënderojmë qytetarët që votuan për PDK-në. Ky është sukses i pamohueshëm për ne dhe mesazh i fortë për ne. Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie, pasi nuk e kanë shumicën. Rezultatet tregojnë se qytetarët kërkojnë qeveri të re”, ka thënë Stavileci.

Sa i përket koalicioneve, Stavileci ka thënë se duhet pritur në finalizimin e rezultateve.

“Ditëve në vijim me finalizimin e rezultateve, kryetari i PDK-së dhe kandidati i PDK-së do të dalin me qëndrime se si do të vazhdohet më tutje”, ka shtuar ai.

Abdixhiku: Rritje e theksuar ndonëse jo e kënaqshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me gjithë rritjen krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve tha se nuk është rezultat i kënaqshëm. Ai shtoi se përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve e merr vetë, ndërsa llogari do t’i japë vetëm LDK-së dhe votuesve të saj.

Në konferencë për media të dielën vonë, Abdixhiku i ka bërë të ditura edhe rezultatet preliminare dhe i ka uruar të gjitha partitë për procesin zgjedhor.

“Po e bëjmë punën që duhet ta kryejë KQZ-ja. Sipas numërimit që janë marrë nga komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së, LDK-ja ka marrë 158.954 vota apo 18.1 për qind, LVV-ja ka marrë 347.543 vota ose 39.8 për qind, PDK-ja ka marrë 190.363 vota apo 21.8 për qind, AAK-Nisma ka marrë 66.635 vota apo 7.6 për qind”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Ai ka shtuar se presin të kenë rreth 30-35 mijë vota nga mërgata dhe do ta çojnë rezultatin në rreth 190 mijë vota.

“Ndonëse kemi rritje të konsiderueshme, nuk është rezultat i kënaqshëm. Nëse populli s'më ka parë (si kryeministër) këtë radhë, jam i lumtur të jem pjesë e opozitës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Haradinaj bën thirrje që qeverinë ta bëjë opozita

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se në këto zgjedhje ka fituar opozita, duke u shprehur se “pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë”.

Ai ka thënë para mediave se beson që AAK-ja ka rezultat dyshifror në këto zgjedhje parlamentare.

“Jemi të sigurt se kemi rezultat dyshifror. Besoj se këtë do ta konfirmojmë. Ajo që më gëzon është fakti se opozita i ka fituar këto zgjedhje. I uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë se opozitës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se nuk bën koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jo, ju fola jemi gëzuar që është krijuar mundësia me krijua qeverinë opozita dhe do të bashkëpunojmë me partitë opozitare”, është shprehur ai.

E kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka shpallur fitoren në Malishevë.

Në një postim në Facebook, Limaj ka shkruar se në vendlindjen e tij kanë fituar mbi 40 për qind të votave.

“Urime Malishevë për fitoren e madhe me mbi 40% të votave, në bazë të rezultateve fillestare.  Jam krenar me vendlindjen time, me bashkëvendësit e mi, që sot e dëshmuan edhe njëherë se janë shembull i një qytetarie që nuk mashtrohet, por, përkundrazi u japin mbështetje njerëzve që punojnë e bëjnë vepra të mira për Malishevën e tërë Kosovën. Ne fituam bindshëm në Malishevë, sepse Malisheva qeveriset nga NISMA Socialdemokrate”, ka shkruar Limaj.

Në këto zgjedhje, Nisma garoi në koalicion me AAK-në.

Dalja në zgjedhje 40.59 për qind, qytetarët presin zhvillim e mirëqenie

Sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në votime ajo ishte 40.59 për qind, nga 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë me të drejtë vote, këtë të drejtë e shfrytëzuan 799 mijë e 954 qytetarë. Daljen më të madhe e regjistroi Prishtina me 55.68 për qind të pjesëmarrjes. Nga 212 mijë e 515 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 118 mijë e 321. Sipas shifrave të KQZ-së, dalja më e ulët ishte në Mitrovicën e Veriut me vetëm 5.30 për qind.

Qetë dhe pa incidente të mëdha është zhvilluar procesi i votimit të së dielës për zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Qytetarët kërkuan që fokusi i Qeverisë së re të jetë te zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i mirëqenies.

“Presim një të ardhme më të mirë. Shpresat janë që po”, ka thënë Avdyl Deva nga Gjakova.

“Besoj që po, presim diçka më mirë. Të ketë vend punime, fabrika në përgjithësi vend punime. Ku ka vend punime besoj që shkon gjithçka në rregull”, u shpreh Diogard Hajdari.

“Ishalla bëhet mirë, ma mirë. Kush të fiton, çka me bo, ja urojmë atij që fiton. Pak për biznese me na ndihmu, pak. Me na i jep kreditë më të ulët për me u zhvillu dhe punësu ma tepër njerëzit.  Qe kjo është ma e vlefshme për ne, bizneseve”, ka thënë Zef Demaj, furrtar.

Zgjedhjet e së dielës janë të parat që u mbajtën me disa ndryshime në proces pas miratimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Mes tjerash, qytetarët kanë mundur të zgjedhin nga 10 kandidatë për deputetë, ndryshe prej 5 sa kanë qenë në zgjedhjet e kaluara.

Në secilën qendër votimi nuk ka pasur mundësi për votim me kusht, por vetëm një brenda një komune.

Në vendvotime e edhe në qendra të numërimit të rezultateve ka pasur kamera të instaluara.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë rezultatet preliminare, të cilat u tha se pritet të publikohen në kohë rekord për partitë politike. Pas mbylljes së votimit në ora 19, në vendvotime është numëruar vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike.

Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra votat e kandidatëve për deputetë.

Ndërkaq e shtuna ka qenë ditë votimi në misione diplomatike të Kosovës, pasi kjo u bë e mundur me ndryshimet e reja ligjore. Në misione kanë qenë të hapura 43 vendvotime.

Prej pasluftës, zgjedhjet e së dielës janë të parat që mbahen në afat të rregullt kushtetues, meqë të mëhershmet ishin të parakohshme.

Lexo përditësimet tjera
VV-ja feston, opozita e kënaqur me rritjen

VV-ja feston, opozita e kënaqur me rritjen