Arbëri

VV-ja e PDK-ja pamundësojnë votimin për Planin Zhvillimor, e quajnë të jashtëligjshëm

Kuvendi Komunal i Prishtinës

Foto: Driton Paçarada

(12:30) - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës u bënë bashkë për të bllokuar pjesëmarrjen e qytetarëve në Planin Zhvillimor.

Pasi këto dy parti lëshuan sallën ku do të votohej Plani Zhvillimor Komunal, me ç’rast u pamundësua votimi për shkak të mungesës së kuorumit, Rama tha në Facebook se bojkoti është në dëm të qytetarëve.

VV dhe PDK bllokojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në planin zhvillimor të Prishtinës. VV dhe PDK u bënë bashkë për të bllokuar vënien në diskutim publik të Planit Zhvillimor të Prishtinës, i cili është dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e Kryeqytetit për periudhën 2024 – 2032. Ky bojkot nga VV dhe PDK, është në dëm të qytetarëve të Prishtinës sepse ua pamundëson të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese për kontribut në këtë dokument të rëndësishëm”, është shprehur Rama.

Ai tha se i falënderon e përfaqësuesit e partive të tjera “për përkrahjen e vazhdueshme në zhvillimin e kryeqytetit”.


VV-ja dhe PDK-ja lëshojnë seancën në të cilën do të votohet Plani Zhvillimor Komunal

(10:53) - Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës të enjten, në të cilën në rend dite për votim është Plani Zhvillimor Komunal 2023-2031.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konferencë për shtyp më herët përsëriti se është kundër këtij plani.

Leotrim Retkoceri nga PDK-ja gjithashtu e ka cilësuar si “joligjor” Planin Zhvillimor Komunal.

“Ky plan ka të meta. Përcakton zhvillimin e Prishtinës për 10 vjetët e ardhshme. Plani i propozuar është marrë në dyer të mbyllura. Dokumenti si i tillë është joligjor, për arsye që nuk ka kaluar ligjshmërinë nga organi kompetent qe është Ministria. Plani është nga qeveria e Shpend Ahmetit, dokumenti si i tillë i sjellë këtu ka pasur devijime. Pra jemi duke folur për një dokument qe ka një mori shkeljesh procedurale dhe ligjore. Plani Zhvillimor Komunal është bërë pa analizë paraprake. Vijat ndërtimore pa analizë, hartat ekzistuese nuk janë më përputhje me standardet vendore dhe urbane. Prandaj ne si grup i këshilltarëve qëndrojmë kundër këtij plani te paligjshëm”, ka thënë Retkoceri para se të dy partitë opozitare të dalin nga seanca. 


VV-ja kundër Planit Zhvillimor Komunal të Prishtinës: Rama është turpi i qytetit

Gëzim Sveçla, Lëvizja Vetëvendosje - Prishtinë
Lëvizja Vetëvendosje - Prishtinë / FOTO: Driton Paçarada

(10:23) - Përmes një konference për media, Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur qëndrimin se është kundër Planit Zhvillimor të Komunës së Prishtinës, duke e quajtur kryetarin Përparim Rama si “turpin e qytetit”.

Plani Zhvillimor Komunal është në rend dite për t’u votuar në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, ka thënë se edhe Ministria e ka kundërshtuar një plan të tillë. Ka pasur akuza për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë në pushtet në Komunën e Prishtinës.

“Ky plan ka shumë të meta përmbajtjesore. Për pak muaj do të hyjmë në vitin e fundit te mandatit të Ramës. Një person që në praktikë e ka dëshmuar që nuk ua do të mirën qytetarëve. Kjo qeverisje e ka pasur kohën e mjaftueshme për ta bërë një plan të mirëfilltë, por është dashur te merret me kontrata të paligjshme. Ministria e ka kundërshtuar një plan të tillë. Duhet t’ia bëjmë me dije LDK-së që jo çdo gjë blihet me pare, sepse ka parime dhe qëndrime në funksion të qytetarëve. Qytetarët nuk ia kanë borxh një plan kundërligjor”, ka thënë Sveçla.

Asamblistja e VV-së, Nora Kelmendi, ka theksuar se plani që kanë marrë është i mangët si dokumentacion.

“Plani i dërguar te ne është i mangët si dokumentacion, pra mungon analiza dhe krahasimi. Draftraporti i planifikimit strategjik është i vitit 2021. Kjo na fyen sepse kryetari po na sjell plane të vjetra. Pjesëmarrja në takime me qytetarët ka qenë minimale. Më shumë ka pasur kabinet të kryetarit sesa qytetarë. Këtë plan, iu bëjmë thirrje subjekteve të tjera të mos e mbështesin, mos lejoni të përsëritet Badovci. Ky kryetar është turpi i qytetit”, ka thënë ajo.