Deputeti i VV-së, Liburn Aliu, ka konfirmuar qëndrimin e partisë së tij, se për sa kohë do të jetë zv.kryeministri Driton Selmanaj në sallën e Kuvendit, nuk do të lejohet të mbahet asnjë seancë.
Këtë qëndrim, Aliu e ka bërë të ditur përmes një konference, pak kohë pasi u ndërpre seanca.
Aliu e ka quajtur njëlloj skenari paraqitjen e Selmanajt sot në seancë, meqë sipas tij, kryeministri Avdullah Hoti sot duhet të flasë në interepelancë për Ujmanin dhe kësisoj po fshihet pas zëvendësit të tij.
“Seanca që u ndërpre sot lidhet me praninë e Driton Selmanajt. Për këtë çështje ne jemi deklaruar se ai është i papranueshëm, sepse Selmanajt e ka quajtur të ezauruar çështjen e personave të pagjetur. Deputetët po dështojnë dhe po e dëmtojnë vendin për qeverisjen e dobtë. Sot është interpelanca për Ujmanin dhe Hoti pritet të ballafaqohet me shpërfaqjen e dëmit që ia ka bërë vendit. Ata po duan të shmangen ballafaqimin dhe për këtë po e përdorin qëndrimin tonë parimor për Selmanajn. Reagimi ynë në Kuvend është paqësor dhe brenda qëndrimeve që kemi. Kuvendi duhet të vazhdojë punën. Hoti duhet të vijë dhe të ballafaqohet për Ujmanin, por të mos fshihet pas Selmanajt. Nëse Selmanaj vije, ata e dinë reagimin tonë. Seanca duhet të vazhdojë në ora 14:00 me Hotin prezent. Edhe nëse vije ne do të qëndrojmë në Kuvend, por do ta pamundësojmë mbajtjen e seancës”, ka thënë Aliu.