Bisedimet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për të formuar qeverinë, kanë ngecur aty ku kanë përfunduar takimet e grupeve punuese mes këtyre subjekteve.
Për të arritur bashkëpunimin qeveritar me LDK-në, Vetëvendosje kërkon që të takohen liderët e partive, Albin Kurti e Isa Mustafa.
Albulena Haxhiu thotë se ftesa nga Vetëvendosje, ekziston dhe se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve nuk duhet të jetë pengesë për ta arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Askush nga LDK-ja nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje. Shumë zyrtarë të kësaj partie nuk janë përgjigjur në thirrjet e televizionit.
Ndërkaq, partia e Albin Kurtit nuk përjashton zgjedhjet e reja, por thotë se janë të angazhuar për ta arritur koalicionin me LDK-në.
Haxhiu thotë se edhe nëse koalicioni Nisma, AKR dhe PD hyn në Kuvend, nuk do të ketë vend për ta në Qeveri.
Derisa po vazhdon rinumërimi i votave nga KQZ-ja, Nisma Socialdemokrate dhe AKR-ja janë në pritje të rezultatit, nëse do të jenë pjesë e Kuvendit apo jo.
Të sigurt se e kalojnë pragun zgjedhor, AKR-ja thotë se janë të gatshëm që të bëhen pjesë e koalicionit qeverisës, ndonëse nuk kanë pranuar ftesë.
Ditë më parë kreu i LDK-së Isa Mustafa, ka dhënë sinjale se e do Nismën në koalicion qeverisës, por për këtë, ka thënë se i takon partisë së parë, Vetëvendosjes që të vendosë.