Arbëri

VV-ja e AAK-ja “pajtohen” në Podujevë

Teksa në nivelin qendror po kërkon shkarkimin e Qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje, dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Podujevë, ka arritur marrëveshje me VV-në në pushtet.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi e ka emëruar ish-kandidaten për këshilltare të AAK-së, Lirie Hoti, drejtoreshë të Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka njoftuar Zyra për marrëdhënie me publikun dhe informim e Komunës së Podujevës.

Kur janë pyetur nëse kanë lidhur koalicion me AAK-në, zyrtarët komunalë kanë thënë se kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi me Grupin e këshilltarëve të kësaj partie.

“Kemi arritur marrëveshje të bashkëpunimit me grupin e këshilltarëve të AAK-së në kuvendin komunal që t'i bashkërendojmë aktivitetet, duke votuar për pikat dhe projektet e rëndësishme për qytetarët llapjanë të cilat i dërgon për trajtim dhe miratim ekzekutivi komunal. Në kuadër të këtij bashkëpunimi jemi marrë vesh që përfaqësuesja nga grupi parlamentar i AAK-së të udhëheq me Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Në ekzekutivin e Podujevës kanë qenë dy drejtorë të PDK-së, por janë larguar pas vendimit të partisë në qendër për të prishur koalicionin me VV-në në Gjilan dhe Podujevë.