Seanca për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit Komunal të Pejës nisi solemnisht të martën, por nuk përfundoi për shkak se pas betimit të këshilltarëve dhe të kryetarit të komunës, këshilltarët e AAK-së dhe të LVV-së lëshuan seancën.
Ata nuk u pajtuan me vendimin e partisë kryesore, LDK-së.
Me shumicë votash, në rend të ditës u fut edhe zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit, e që nuk ishte paraparë. Kryesuesi i ri i Kuvendit u zgjodh, Rexhep Kurtbogaj, i cili as nuk pati kundërkandidat.
“Nuk e shohim të arsyeshme pse me kaq nguti bëhet zgjedhja e kryesuesit në prezencën e mysafirëve dhe qytetarëve që ishin sot të shtohet pika e rendit të ditës dhe të vije në siklet edhe kuvendarët këtu”, ka thënë Drin Veseli, këshilltar i AAK-së në KK të Pejës.
Edhe Berat Ganiqi, këshilltar i LVV-së në KK të Pejës ishte kundër zgjedhjes së kryesuesit në seancë inauguruese.
“Ne jemi thirr në seancë inauguruese solemne dhe në ftesat të cilat na janë dërguar askund nuk ka shkruar se do të zgjidhet kryesuesi. Gjë që na kishte dhënë kohë edhe neve si opozitë të mendojmë për zgjedhjen e kryesuesit”, ka thënë Ganiqi.
E kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, që do të qeverisë për mandatin e tretë rresht ka thënë se nuk ka ende marrëveshje për koalicion në nivel komunal.
“Nuk kemi arritur asnjë marrëveshje, mirëpo parimisht ekziston mundësia që të vazhdojmë me partnerin e njëjtë të koalicionit që kishim dhe janë edhe dy parti boshnjake të përfaqësuara këtu, dhe do të shkojë çdo gjë mirë”, ka thënë Muhaxheri.