Arbëri

Konjufca: Hoti ka mundësi t’i ndihmojë Kosovës, të japë dorëheqjen

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Glauk Konjufca, kanë mbajtur konferencë për media të martën, lidhur me 1-vjetorin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, dolën subjekti i parë.

Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, ka deklaruar se kryeministri Avdullah Hoti, e ka një mundësi të shkëlqyer për t’i ndihmuar popullit të Kosovës. Kjo sipas tij, është dorëheqja.

“Avdullah Hoti mendoj e ka një shans të shkëlqyeshëm t’i ndihmoj popullit. Kjo do të ishte të jepte dorëheqje, t’ia lëshoj rrugën popullit të Kosovës", ka deklaruar ai.

Haxhiu ka deklaruar se më 6 tetor të vitit 2019, qytetarët donin Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje dhe Albin Kurtin kryeministër.

“Sot janë bërë një vit nga zgjedhjet e 6 tetorit. Më 6 tetor qytetarët votuan jo thjesht për ndryshim, por për t’i dhënë fund keqqeverisjes. Qytetarët votuan për ndryshim dhe ndëshkuan politikanët e korruptuar”, ka deklaruar ajo.

Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 6 tetorit, në shprehje kanë ardhur interesat e partive të PAN-it. Sipas tij, qytetarët nuk i besojnë Qeverisë Hoti.

“Pas zgjedhjeve erdhën në shprehje interesat e PAN-it dhe të LDK-së, ku vullneti i qytetarëve u përmbys me qeverinë me në krye Avdullah Hotin. Qytetarët nuk i besojnë kësaj qeverie”, ka deklaruar Konjufca para mediave.