Arbëri

VV: Deklaratat e opozitës për librat shkollorë, të papranueshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka deklaruar para mediave se ende s’ka epilog të qartë mbi procesin e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore, derisa deklarimet e opozitës se Qeveria ka dështuar në këtë proces i quajti të papranueshme.

Sipas Golës, ky proces i teksteve shkollore nuk është i pazakontë, e shtoi se kjo do të diskutohet në Kuvendin e Kosovës.

“Qysh në fillim kemi një qasje që për ne është e papranueshme që në thirrjen e opozitës është thënë që ka dështuar Qeveria, kur ende është në proces i gjithë furnizimi me tekstet shkollore. Nuk e kemi ende një epilog të procesit, që ne nuk besojmë se ka diçka të pazakontë. Kjo çështje do të diskutohet në Kuvend pasi që të kemi një epilog”, ka deklaruar deputeti i pushtetit.

Ndërsa, deputetja Arijeta Rexhepi ka shtuar se 18 shkolla ende s’e ka nisur procesin mësimor.

“Janë gjithsej 18 shkolla që nuk kanë filluar mësimin, që janë për shkak të infrastrukturës dhe jo për shkak të librave. Ne e konsiderojmë tendencioze të thuhet se është dështim veprimi i Ministrisë”, ka shtuar Rexhepi.

Në Facebook ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. 

“Seanca e sotme, në mënyrën se si ishte ftuar, nxjerrte konkludim të debatit parlamentar, para se të fillonte vet debati. Pak sikur, së pari gjykimi mbi rastin, e pastaj hetimi për rastin. P.S. Ky ishte rendi i ditës për seancën e sotme: Debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimi fillor dhe arsimit të ulët të mesëm të ulët për vitin 2023/25”, ka shkruar Kryeziu.