Arbëri

Vulini thotë se Masakra e Reçakut është gënjeshtër e madhe

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se masakra ndaj shqiptarëve të Kosovës në fshatin Reçak, e cila shërbeu si shkak në përgjigjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ishte “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

Në vizitën që ai ka bërë në lokacionin në rrethinën e Nishit, ku u realizua filmi për ngjarjet në atë fshat në janar të vitit 1999, Vulin e ka quajtur masakrën e Reçakut si “një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t'i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e këtij brezi është t'i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrës dhe se gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër", ka thënë Vulin teksa e njëjta deklaratë citohet nga mediat serbe si e lëshuar nga Ministria e Brendshme.

Ndërkaq, vazhdoi tutje të thoshte se nuk do të lejojnë që ta shkruajnë historinë më për serbët.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Radio-Televizioni i Serbisë së bashku po prodhojnë një seri prej gjashtë dokumentarësh “Dosja e Kosovës” që trajton kronologjinë e ngjarjeve nga viti 1998 deri në vitin 2001.

Ndërkaq, në 21 vjetorin e masakrës së Reçakut, ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, pati thënë se gjenocidi që ka ndodhur në këtë fshat “nuk mund të mohohet nga askush”. Walker është njeriu që doli publikisht më 1999 duke dhënë alarmin për krimet serbe në Kosovë.