Arbëri

Vuçiqi i ankohet Scholzit që Kosova “s’po i zbaton marrëveshjet”

Olaf Scholz - kancelari gjerman dhe Aleksandar Vuçiq - presidenti serb

Foto: Associated Press

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, duke treguar se i ka thënë se “Prishtina po vazhdon të shmangë zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara”.

Ai ka shkruar në rrjetin social Instagram se Scholzin “e ka informuar” edhe për gjendjen e komunitetit serb në Kosovë.

“Kancelarin Scholz e informova në detaje për gjendjen pothuajse të padurueshme për komunitetin serb në ‘Kosovë e Metohi’ si dhe për shmangien e vazhdueshme të Prishtinës për zbatimin e marrëveshjeve të pranuara dhe të nënshkruara”, ka shkruar presidenti serb.

Sipas tij, Gjermania ka raporte të shkëlqyeshme ekonomike me Serbinë, duke theksuar se “investimet e mëdha kontribuuan ndjeshëm në përparimin e shpejtë të Serbisë”.

Vuçiq shtoi se me kancelarin gjerman kanë diskutuar edhe për rolin e Serbisë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajonl.

“Ne kemi nevojë për ndihmën e partnerëve tanë, si Gjermania dhe se ne llogarisim në mbështetjen e vazhdueshme për integrimin evropian si dhe në stimujt konkretë që do t’u jepnin vrull të ri kandidatëve për t’u vazhduar reformat në rrugën e BE-së...Ritheksoca se Serbia vazhdimisht avokon për shtimin e aktiviteteve diplomatike në kontekstin e të gjitha konflikteve aktuale dhe çështjeve të hapura që rëndojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.