Arbëri

Vuçiqi do ta vizitojë Preshevën dhe Bujanocin pas protestave

Aleksandar Vuciq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se po dëgjon me vëmendje kërkesat e njerëzve në Preshevë dhe Bujanoc dhe paralajmëroi se shumë shpejt do t’i vizitojë komunat me shumicë shqiptare në Serbi, transmeton “N1”.

Në Gjenevë të Zvicrës, Vuçiqi, i pyetur për dy protesta, në gusht dhe shtator, të shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc, vlerësoi se bëhej fjalë për “protesta për humbjen e pushtetit të forcave pro-Kurtit, veçanërisht në Bujanoc".

Në muajin shtator, në Preshevë u mbajt protestë e shqiptarëve kundër diskriminimit nga shteti i Serbisë, ndërsa një muaj më parë protestë e ngjashme u mbajt edhe në Bujanoc.

Në Preshevë të tubuarit mbanin pankarta “Stop pasivizimit selektiv”, “Duam tekste shqipe”, “Na ktheni adresat”, “Evropa po e shikon Serbinë”. 

Pas zgjedhjeve lokale të qershorit, në Bujanoc u formua një pushtet lokal multietnik i partive shqiptare, serbe dhe rome, për dallim nga ai i mëparshmi, i cili përbëhej ekskluzivisht nga partitë shqiptare.

Vuçiqi ka thënë se, veçanërisht në Bujanoc, protestat po mbahen pasi nuk po u pëlqejnë që shqiptarët janë në pushtet bashkë me serbët.

“Është çështje demokratike dhe ne nuk kemi problem në vendin tonë, ndryshe nga situata në Prishtinë, demokracia është e lejuar, në vendin tonë është normale që dikush të protestojë dhe ne nuk kemi problem kur protestojnë shqiptarët”, ka thënë Vuçiq.

Ai në përgjigjen për një gazetar shqiptar ka theksuar se të gjitha vërejtjet e tyre dëgjohen me kujdes dhe se mendon se është më e rëndësishme që disa nga investitorët e mëdhenj të shkojnë në Bujanoc, por edhe në Preshevë.

Presidenti serb ka kujtuar se ka qenë në Preshevë (para disa vitesh) për të hapur maternitet dhe se ka qëndruar disa herë në Bujanoc "për të punuar që fshatrat serbe dhe shqiptare të asfaltohen njësoj".

“Së shpejti do të rindërtojmë një shkollë dhe do të investojmë shumë para në një nga fshatrat shqiptare, do të vazhdojmë të investojmë para dhe të ndihmojmë njerëzit që jetojnë atje dhe të vazhdojmë jetën tonë të përbashkët”, ka shtuar Vuçiq.