Arbëri

Vuçiq thotë se Shqipëria dhe Kroacia kanë hapur “garë armësh” pas memorandumit me Kosovën

Aleksandar Vuciq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e nënshkruan një deklaratë në Tiranë më 18 mars, për ta forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, gjë që nxiti reagime në Serbi.

“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t'i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, tha Vuçiq për gazetarë në Bruksel më 19 mars.

Duke folur pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Vuçiq theksoi se memorandumi përbën “shkelje të marrëveshjes nënrajonale” dhe se është “i bindur se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”.

Ai tha se këtë çështje e ngriti në takim me shefin e aleancës veriatlantike, por nuk tregoi çfarë ka thënë Rutte në lidhje me të.

“Është detyra jonë t'ua themi Ruttes, njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se me Rutten ka biseduar dhe situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë.

Deklarata e nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës kërkon forcimin e bashkëpunimit trepalësh dhe rëndësinë e reagimit të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Deklarata përfshin, siç raporton Radio Televizioni Kroat, promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kundërvënien e kërcënimeve hibride, si dhe mbështetjen e plotë për integrimin euro-atlantik.

Deklarata lë të hapur mundësinë për vende të tjera për t’iu bashkuar asaj.

Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës sepse e konsideron shtetin pjesë të saj, megjithëse dialogon me Kosovën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në një proces që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Më 2023, palët arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e cila, veç tjerash, i kërkon Serbisë që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Tensionet mes dy shteteve kanë qenë të larta viteve të fundit, dhe Kosova e ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa një sërë sulmesh në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 2023, kur u vra një polic, si dhe për një shpërthim në një kanal jetik të ujit në veriun e Kosovës nëntorin e vitit 2024. /REL