Arbëri

Vuçiq nuk beson që do të ketë sanksione ndaj Serbisë, u bën thirrje serbëve në veri për zgjedhje

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk beson që do të ketë sanksione ndaj qytetarëve të shtetit të tij dhe se nëse do të aplikohen masa, ato do të jenë masa ndaj tij.

Vuçiq të enjten, në një intervistë në Tv Prva, kur është pyetur nëse qytetarët e Serbisë duhet të jenë të frikësuar nga lufta dhe sanksionet, ka thënë se ata mund të jenë të qetë.

“Mendoj që qytetarët në Serbi mund të jetën të qetë, unë besoj se ne jemi në gjendje të ruajmë paqen falë forcës së shtetit dhe ushtrisë sonë. Nëse ushtria do të ishte më e dobët, në nuk do të kishim paqe shumë kohë më parë dhe shumë të tjerë do të kishin ndërmarr veprime kundër nesh”, është shprehur Vuçiq.

Ai u ka bërë thirrje “përfaqësuesve të serbëve në Kosovë që të ndërmarrin nisma për organizmim të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në katër komuna në veri të Kosovës”.

“Do t'i kërkoja popullit tonë të dilte me nisma për organizimin sa më të shpejtë të mundshëm të zgjedhjeve në këto katër komuna. Sigurisht, kjo është kërkesa ime. Kështu i shikoj gjërat. Ndoshta ata shohin më mirë, më ndryshe, por kjo është kërkesa ime për ta”, është shprehur ai.

Sipas tij kjo do të mundësojë që pushteti të kthehet tak ata që jetojnë atje dhe nuk do të jetë më në dorë të atyre që “nuk do të jetojnë kurrë atje”


Vuçiq: Kurti ma përmend djalin sepse s’ka guxim të më shohë në sy

Presidenti serb ka folur edhe për deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës për se në sulmin në Banjskë mori pjesë bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiqit.

Vuçiq ka thënë se Kurti ia përmend djalin, pasi që atë “nuk e shikon dot në sy”.

“Kurti po e bën këtë, pasi nuk ka guxim të më shikojë mua në sy”, është shprehur Vuçiq.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ditë më parë ka njoftuar se në kuadër të hetimeve për sulmin e 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit, është gjetur dokumenti personal dhe vetura e Milorad Jevtiqit.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se Jevtiq njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e ambasadorit amerikan në Serbi Christopher Hill, i cili të enjten ka deklaruar se “dua që Serbia ta kuptojë dhe ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur”.

“Njerëzit thonë se Serbia thjesht duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe të lëvizë përpara. Edhe unë do të doja këtë, por fakti është që problemi është më i ndërlikuar”, tha ai.

Por sipas Vuçiqit deklarata e Hillit nuk është transmetuar me saktësi dhe se ai nuk ka thënë se “Serbia duhet të kuptojë se Kosova është e pavarur”.