Arbëri

Vrasja e shtatzënës – rekomandohet suspendimi i katër zyrtarëve policorë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e Komandantit të stacionit policor të Lipjanit, një rreshteri dhe dy hetuesve lidhur me rastin e Sokol Halilit, vrasësit të gruas shtatzënë.

Inspektorati ka gjetur se lidhur me urdhër-mbrojtjen e shtatzënës, zyrtarët policorë kanë keqpërdorur pozitën dhe kanë falsifikuar dokument zyrtar. 

“Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për 'Dhunë në familje' dhe 'Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës'. Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe Stacioni Policor Lipjan i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur H.M”, thuhet në njoftim.

Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, "ka elemente të veprave penale 'Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar' dhe 'Falsifikimi i dokumentit zyrtar'".

Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues), thuhet në njoftim.

Ndërsa, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se është informuar për hetimet që janë kryer dhe se “të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal”.