Arbëri

Vrasja e grave, dështimi i hallkave institucionale

Janari i 2022-s ishte ogurzi se Kosovën po e priste një vit i rëndë për gratë e që do të dëshmonte dështimin e secilës hallkë institucionale për mbrojtjen e tyre

Denoncimi i dhunës i kushtoi me jetë 48-vjeçares Lirije Qerimaj, nënë e tre fëmijëve, në 5 janarin e 2022-s.

Pesë ditë pasi që e raportoi rastin në Polici dhe pasi Prokuroria e la të lirë bashkëshortin e saj, rasti i dhunës në familjen nga një fshat i Skenderajt u përmbyll me vrasje. Dhe e shpërfaqi trajtimin e zakonshëm nga institucionet e drejtësisë për rastet e dhunës mbi vajzat dhe gratë.

Në të shumtën e rasteve, të denoncuarit lirohen me procedurë të rregullt. Vetëm kur “të amnistuarit” shndërrohen në vrasës, shteti i trajton si dhunues.

Vrasësi Skender Qerimaj, u dënua me 24 vjet burgim në shkallën e parë, disa muaj pasi e qëlloi bashkëshorten e tij me gjashtë plumba nga arma e zjarrit.

Në aktgjykim iu llogaritën rrethana lehtësuese.

“Ndër rrethanat lehtësuese nga ana e të akuzuarit, gjykata kishte parasysh bashkëpunimin e përgjithshëm të të akuzuarit me gjykatën dhe organet e ndjekjes penale, ku menjëherë pas kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 1 KPRK, është dorëzuar në polici, pendimin e sinqertë që i akuzuari ka treguar në shqyrtimin gjyqësor, si dhe faktin se i akuzuari deri më tani, nuk ka qenë i dënuar, dhe se në shqyrtimin gjyqësor, por jo edhe në shqyrtimin fillestar, nuk e ka pranuar kryerjen e veprave penale që i ngarkohen në aktakuzë”, thuhej në aktgjykimin e këtij rasti.

Vit i nisur dhe i përmbyllur me vrasje

2022-shi që nisi me këtë rast, u përmbyll edhe me raste të tjera të vrasjes së grave nga bashkëshortët.

Në nëntor, brenda dhjetë ditësh ndodhën dy vrasje të tilla.

Sadije Miftari-Godeni, një 63-vjeçare nga Prishtina, me profesion arsimtare, u vra me sëpatë deri sa po flinte. I dyshuar për vrasjen është bashkëshorti i saj 70-vjeçar, Izet Godeni.

Në mbrëmjen e ditës së fundit të nëntorit, ndodhi edhe një tjetër vrasje.

Një grua shtatzënë u qëllua për vdekje në oborrin para Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), pak orë para kohës kur duhej të hynte në sallën e operacionit për ta lindur fëmijën që po e priste.

Ajo bashkë me foshnjën në barkë u vranë me armë zjarri nga Sokol Haliti, bashkëshorti i saj me të cilin ishte në proces të ndarjes. Dhunën e ushtruar ndaj saj, viktima e kishte denoncuar disa herë në polici.

Sistemi i drejtësisë dështoi në ndjekjen e Halitit, në kohën kur viktima, Hamide, dhe foshnja e saj mund të shpëtoheshin. Pak ditë pas vrasjes, dorasi qëlloi vetën me armë zjarri kur shtëpia e tij ishte rrethuar nga pjesëtarët e policisë, pas identifikimit të lokacionit ku po i fshihej drejtësisë.

Reagimet e shumta qytetare e institucionale dhe protestat i pasuan tri rastet e vrasjes. Protestat që u mbajtën patën secilën herë moto të njëjta për dënimin e vrasësve, por nuk u pasuan me veprime.

Dështimi i institucioneve

Krahas vrasjeve, viti 2022 u përcoll me raste të raportuara për dhunë seksuale ndaj grave e vajzave.

Natën e 27 gushtit, një 11-vjeçare nga Prishtina u dhunua së paku tri herë nga pesë persona.

Të dyshuarit për rastin përfunduan në pranga dhe ndaj tyre u ngrit aktakuzë. Tre nga të pandehurit janë të mitur.

11-vjeçarja ishte viktimë edhe e një rasti tjetër dhunimi, në qershor. Familja e pati denoncuar këtë rast në

Prokurorinë Themelore në Prishtinë, porse asokohe nuk ishte marrë asnjë masë. Prokuroria do ta trajtonte rastin vetëm pas denoncimit të gushtit, kur dhunimi i vajzës mori vëmendjen e publikut.

Një protestë me numër të madh pjesëmarrësish u organizua lidhur me rastin në Prishtinë. Një prej kërkesave të shprehura nga protestuesit ishte dorëheqja e kryeprokurorit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, dhe e prokurorëve të tjerë përgjegjës për rastin.

Kërkesat nuk u jetësuan. Por dorëheqje dhe shkarkime lidhur me rastin pati në Shërbimin Korrektues, që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ofroi dorëheqje morale.

Shtimi i denoncimeve

Gjatë vitit, numër i madh vajzash dhe grash i raportuan rastet e dhunës fizike dhe asaj seksuale.
Të dhënat e pasqyruara nga organizata që avokon për të drejtat e grave - Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) – të mbështetura nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës dhe Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), treguan se nga viti 2015 deri më 2021 është raportuar për 11.708 viktima të dhunës në familje. Raportimet në media dhe raportet e organizatave vendore e dëshmuan trajtimin joserioz të denoncimeve nga secila hallkë e sistemit të drejtësisë.

Rrjedha pas një rasti të raportuar të dhunës ndaj grave është pothuajse gjithherë e njëjtë - Policia i liron në procedurë të rregullt të dyshuarit për dhunë, Prokuroria i zvarrit hetimet dhe ngre aktakuza që nuk i përfshijnë të gjitha elementet, gjykimet zvarritet me vite dhe në fund, gjyqtarët u shqiptojnë dhunuesve dënime të buta në raport më krimin.

Kësisoj, rastet e dhunimeve seksuale janë rritur nga viti në vit.

Më 2021, sipas një raporti të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, janë raportuar 107 raste të dhunës seksuale, teksa një vit më herët ishin 60. Trendi i rritjes ka përcjellë edhe në vitin 2022. Shifrat ndërkaq nuk janë shoqëruar me veprime institucionale.

Gjyqtarët gjetën shpesh “masa lehtësuese” për dënimet e që i peshuan si më të rëndësishme se përmasa e dhunës së ushtruar ndaj grave.

Dënimet e buta ndaj dhunuesve, KOHA i pati publikuar në një seri shkrimesh gjatë muajit shtator dhe në të cilat përmblidheshin shumë aktgjykime.

Organizatat joqeveritare (OJQ), të cilat i kanë monitoruar seancat gjyqësore, pretendojnë se në më shumë se 90 për qind të rasteve të monitoruara të gjykimit për dhunën në familje, kryesit e veprave penale kanë qenë të vetëdijshëm për veprimet apo se ka ekzistuar përgjegjësia penale si element i veprës penale.

Në fund gjyqtarët i kanë shpallur fajtorë të akuzuarit për dhunë, por të shpeshtën e rasteve me dënime me kusht apo me gjobë.

Nuk ishin të pakta as rastet kur hetimet dhe aktakuzat për dhunë fizike, seksuale dhe psikologjike u vjetruan për t’u gjykuar, duke ngelur në sirtarët e institucioneve.

Në pritje për drejtësi

As më 2022-n drejtësia nuk u vu në vend për rastet e grave të vrara nga bashkëshortët në vitet e mëhershme.

Gjatë vitit, u përmbyll me aktakuzë rasti i vrasjes së Marigona Osmanit ndërkaq gjykimi është ende në fazë fillestare. Aktakuza e ngritur i përshkruan në hollësitë rrethanat që çuan deri në vdekjen e 18-vjeçares nga Ferizaj në gushtin e 2021-s. Dy të akuzuarit për vrasjen e saj – Dardan Krivaqa, me të cilin Osmani bashkëjetonte, dhe Arbër Sejdiu – pranuan fajësinë e gjykimi ndaj tyre po zhvillohet në procedurë të rregullt.

Kundër vrasësve të Donjeta Pajazitit, Vlabona e Klara Ndrecajt dhe Sabile Mavrovqanit në shkallë të parë u shqiptuan dënime me burgime të përjetshme, për t’u zbutur më pas apo për t’u kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Vrasësi i Diana Kastratit është ende në arrati. Sipas institucioneve, ai ndodhet në Spanjë, shtet ky me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje për ekstradim. Në hetimet për rastin e zhdukjes së Mirjeta Zeka-Shabanit, institucionet e drejtësisë nuk gjeneruan një rezultat as më 2022, ani se i dyshuari i vetëm është bashkëshorti i saj që u pati intervistuar nga hetuesia. Zeka-Shabani dyshohet të jetë zhdukur më 31 mars të 2019-s, në ditën kur, sipas familjarëve, do të kthehej në Gjermani, pas një vizite në Kosovë.

Rastin e zhdukjes e patën raportuar në polici vëllezërit e saj. Për zhdukjen, me disa muaj vonesë familjarët thanë se ishin informuar nga bashkëshorti i saj N.SH që ua pati kumtuar rastin si “ikje”.

“Veprime” në Facebook

Me deklarime e fushata, institucionet më 2022-n u kushtuan vëmendje të shtuar drejtësisë dhe barazisë për gratë dhe vajzat. Por për t’ua garantuar atyre një vend të sigurt pas denoncimit të dhunës, në Kosovë aktualisht veprojnë numër i pamjaftueshëm i strehimore. Në rreth pesë syresh ato mund të bëjnë konak vetëm për gjashtë muaj, por pas daljes atyre nuk u ofrohet ende ndonjë ndihmë e posaçme nga shteti.

Qeveria nuk u dha mbështetje buxhetore strehimoreve apo shtëpive të sigurta për viktimat e dhunës. Vetëm pas vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare para QKUK-së, Qeveria ndau buxhet shtesë për zbatimin e legjislacionit që ia mundëson shtetit kontrollimin e lëvizjeve të dhunuesve nëpërmjet byzylykëve digjitalë.

Më 2022 u ashpërsuan dënimet dhe u parapa shqiptimi i dënimeve plotësuese për dhunuesit.

Ndryshimet në Kodin Penal përcaktuan që të dënuarve për dhunë në familje t’u ndalohet e drejta e kandidimit në pozita publike, nisur nga 3 deri në 10 vjet. Bazuar në këto ndryshime, atyre do t’u ndalohet edhe punësimi në sektorin publik dhe do t’u merret e drejta për të poseduar patentë-shoferë si dhe ajo për të drejtuar veturë nga 1 deri në 5 vjet.

Por legjitimiteti i këtyre ndryshimeve u kontestua nga opozita.

Doarsa Kica-Xhelili, deputete nga Lidhja Demokratike (LDK) pretendoi se ndryshimet nuk ishin në linjë me praktikat ndërkombëtare.

“Sapo e dëgjuam ministren e Drejtësisë që na tha se s’kemi nevojë për praktikën e Strasburgut dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në qoftë se qenka legjitime të lejojmë paraburgimin automatik, pse s’kemi lejuar vetëgjyqësi? Pse zonja ministre s’po e lejon vetëgjyqësinë. Pse s’po i lejon të gjitha gjërat që i ndalon Konventa?”, pati thënë ajo në Kuvend.

Me gjithë vërejtjet, ndryshimet në Kod nuk u atakuan në Gjykatën Kushtetuese.

Në dhjetor u lansua edhe Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale. U caktua për 2023-n fillimi i trajnimit të zyrtarët përgjegjës për Protokollin dhe për mënyrën e zbatimit të tij. Buxheti për mekanizmat koordinues dhe për punësimin e zyrtarëve të shërbimit social që do t’i nënshtroheshin trajnimit, certifikimit e specializimit në rrafshin e trajtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore u caktua të ndahet po ashtu më 2023.

Buxhet duhet të ndajë edhe për linjën telefonike të mbështetjes për viktimat e dhunës në familje, për Qendrën e Referimit të Dhunës Seksuale dhe për Qendrat e Krizave të Dhunimit.

Në mungesë të veprimeve më 2023-n, “dënimet” për këto dhe rastet e tjera të dhunës që mund të ndodhin, rrezikojnë të jepen me postime në Facebook e Twitter.