Në dhjetor 1998 në një kafeteri në Pejë shërbimi sekret serb dyshohet se vrau 6 të rinj serbë. Për këtë krim monstruoz u akuzuan shqiptarët. Aleksandër Vuçiqi më 2013 deklaroi se pas vrasjes nuk qëndrojnë shqiptarët dhe la të kuptohet se organizator i krimit është shteti serb. Nga kjo deklaratë e bujshme kanë kaluar 10 vjet dhe autorët e krimit nuk janë arrestuar. Tani prindërit e viktimave i kanë dërguar letër të hapur Aleksandar Vuçiqit ku akuzojnë shtetin serb se qëndron pas vrasjeve.
Prindërit e 6 të rinjve serbë të vrarë në Pejë më 14 dhjetor 1998 i kanë dërguar një letër të hapur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me lutjen që t’i pranojë në takim dhe t’i informojë mbi njohuritë e deritanishme mbi organizatorët dhe vrasësit e fëmijëve të tyre.
Më 2013 zëvendëskryeministri i atëhershëm i Serbisë dhe presidenti aktual Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbia “duhet të përballet me shumë gjëra të tmerrshme” dhe si shembull përmendi vrasjen e 6 të rinjve serbë në kafeterinë Panda në Pejë. Vuçiq tha atëbotë se nuk ka dëshmi se pas vrasjes qëndrojnë shqiptarët. Që nga atëherë kanë kaluar 10 vjet dhe Serbia e sunduar nga Vuçiqi nuk ka zbuluar autorët e krimit, për të cilin Serbia akuzoi shqiptarët. Madje u arrestuan 6 shqiptarë, të cilët u keqtrajtuan dhe në fund, pas një procesi të montuar politik, u liruan nga akuzat.
Dy persona të maskuar vranë Svetislav Ristić-in (18), Vukota Gvozdenović-in (16), Zoran Stanojević-in (18), Dragan Trifović-in (18), Ivan Radević-in (24) dhe Ivan Obradović-in (15).
Në letrën e hapur dërguar Vuçiqit prindërit e viktimave thonë se që nga viti 2017 kanë kërkuar takim me Vuçiqin, por pa sukses. Së fundi më 11 janar Vuçiq premtoi se do t’i pres prindërit në takim. Prindërit e viktimave thonë se “jemi të bindur se bëhet fjalë për punë shtetërore për të cilën është vendosur në krye të shtetit dhe paraqet terrorizëm shtetëror par excellence”.
Vuçiqi nuk ka interes politik (human jo se jo) që kjo çështje të zbardhet. Më 1998 ai ka qenë ministër për Informata (lexo: dezinformata) i Serbisë në qeverinë e Mirko Marjanoviqit.
Ndriçimi i rastit – sipas të gjitha gjasave organizator i masakrës në kafeterinë Panda në Pejë është shërbimi sekret serb – do t’i kushtonte politikisht Vuçiqit. Avokati Ivan Niniq deklaroi se nuk ekziston prokuror që me forcën e integritetit të tij do të ndriçonte krimin në Pejë dhe do të publikonte një aktakuzë pa dijen dhe miratimin e Vuçiqit. Avokati tjetër serb Bozho Preleviq deklaroi në janar se me refuzimin për të bërë publike detajet e krimit në Pejë, Vuçiqi po përpiqet të disiplinojë disa individë në shërbimet sekrete dhe në partitë politike.
“Duke zbuluar se krimin në Panda nuk e kanë kryer shqiptarët, Vuçiqi po i dërgon mesazh sektorit politik dhe të sigurisë në stilin ‘kam informata, nëse nuk dëgjon të lëshojë lumit teposhtë’.
Ky është modus operandi i politikës së Vuçiqit”, tha avokati Preleviq.