Arbëri

Vrajolli: Vështirë se Serbia e dorëzon Radoiçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar shefes së re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që Serbia t’ia dorëzojë autoriteteve të Kosovës terroristin Milan Radoiçiq. Por, kjo shihet si e vështirë të bëhet nga ana e Serbisë.

Mentor Vrajolli, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se dorëzimi i Radoiçiqit duhet të jetë kërkesë bazike e autoriteteve të Kosovës, por ka shtuar se nuk pret që Serbia ta bëjë një gjë të tillë.

“Dorëzimi i Radoiçiqit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për faktin që dihet se ka qenë i përfshirë në rastin e Banjskës dhe sipas gjasave eksponentë të njëjtë kane qenë të përfshirë në sulmet e tanishme. Si kërkesë duhet të jetë bazike. Vështirë të pritet që Serbia do t’ia dorëzojë Kosovës Radoiçiqin sepse asnjëherë nuk ka pasur raporte të bashkëpunimit juridik apo sundimi të ligjit mes Kosovës dhe Serbisë dhe që do ta mundësonte një gjë të tillë. Institucionet tona kanë të drejtë të plotë ta kërkojnë këtë sepse personi është dëshmuar se ka kryer sulm terrorist në Kosovë”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Vrajolli ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë trysni ndaj autoriteteve në Serbi për dorëzimin e Radoiçiqit.  

“Trysnia ndërkombëtare duhet të vijë në këndvështrimin e asaj që ky person të dorëzohet, por të paktën që duhej të bëhej është që ky person të qëndrojë i izoluar bashkë më grupin e tij”, është shprehur ai.

Derisa ka folur rreth sulmit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, Vrajolli ka thënë se institucionet vendore duhet të kenë kujdes me personat që i konsideron si potencialisht të dyshuar për rastin.

“Institucionet duhet të jenë të kujdesshme që të mos marrin masa të gjera represive për persona që potencialisht mund të jenë të dyshuar. Duhet të sigurohet që të ketë bindje sa më të plotë për ata që mund të kenë qenë të përfshirë”.

Ai ka theksuar se Kosova duhet ta prioritizojë mbrojtjen e infrastrukturës kritike mbi të gjitha masat e tjera të sigurisë që ndërmerr.

“Kosova ka ligje që i rregullojnë sektorët e infrastrukturës kritike që datojnë dekada, Kosova ka mbrojtje të infrastrukturës kritike por më 2018 e ka një ligj që është i dedikuar për identifikimin e infrastrukturës kritike dhe koordinimin mes institucioneve. Jo domosdo në mungesë të implementimit të ligjit mund të jemi të siguruar që e gjithë infrastruktura kritike është e identifikuar dhe kjo e rrit rrezikun për të pasur sulme në të... Mbrojtja e infrastrukturës kritike duhet të prioritizohet para çdo mase tjetër të sigurisë”, ka potencuar Vrajolli.