Arbëri

Vozitës të autoambulancave të një QKMF-je kërkojnë rishqyrtimin e koeficientit të pagave

Në protestën e mbajtur të premten para QKMF-së në Ferizaj, rreth 20 vozitës të autoambulancave kanë kërkuar rikthimin e koeficientit të pagave që e kishin më parë. Sipas tyre, me koeficientin e ri të pagave, ata i marrin 361 euro në muaj nga 425 sa i kanë marrë në të kaluarën. E krahas kësaj, ata kanë thënë se më nuk po u mjaftojnë as 45 euro që i merrnin në muaj për ushqim

Rreth 20 vozitës të autoambulancave në emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj kanë protestuar të premten para institucionit ku ata punojnë për të kërkuar rikthimin e koeficientit të pagave që e kishin më parë.

Sipas tyre, me koeficientin e ri të pagave ata i marrin 361 euro në muaj nga 425 sa i kanë marrë në të kaluarën. Krahas kësaj, ata kanë thënë se më nuk po u mjaftojnë as 45 euro që i merrnin në muaj për ushqim. Si shqetësim kanë shprehur që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) i ka kategorizuar vozitësit e autoambulancave si nëpunës teknikë dhe se kërkesat e adresuara nëpërmjet sindikatës nuk janë marrë parasysh prej disa muajsh.

Bujar Kamberi, vozitës i autoambulancës, ka paralajmëruar grevë dhe protesta po qe se nuk shqyrtohen kërkesat dhe ankesat e tyre.

“Si shofer të emergjencave, ne përballemi çdo ditë me rrezik të shpejtësisë dhe të sëmundjeve infektive. Andaj kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme që ta rregullojë çështjen e nivelimit të pagave, përkatësisht koeficientit. Nga 3.8, të na kthehet në koeficientin e mëparshëm që e kemi pasur 5.4”, ka thënë Kamberi.

E vozitësi tjetër, Imri Avdyli, ka thënë se zbritja e pagës me koeficientin e ri nuk i adreson rreziqet me të cilat përballen, si dhe ngritjen e çmimeve në treg.

“Shqetësimet tona janë sepse së pari kemi rrezikshmëri për çdo ditë, dhe e dinë të gjithë se si kemi qenë të rrezikuar. Tash, me këto paga, kur çdokund ka rritje (të çmimeve), kurse te ne ka zbritje. Jemi të pakënaqur. Nëse vazhdon kështu, do të protestojmë, ngase ndryshe nuk mund të mbijetojmë me këtë pagë”, ka thënë ai.

Vërejtje ka shprehur edhe Afrim Shahini.

“Çuditërisht, te ne ka ndodhur zbritja, sepse janë dëmtuar stafi i emergjencës, vozitësit dhe pjesa teknike mbështetëse e QKMF-së. Realisht, ky është një absurditet në vete dhe nuk e di në çfarë baze kanë bërë dhe çfarë kalkulimesh i kanë bërë. Megjithëse është shqetësuese, sepse ne nuk kemi dashur ta bllokojmë apo ta sabotojmë punën për hir të misionit dhe punës sonë që u ofrojmë ndihmë qytetarëve”, ka theksuar vozitësi i autoambulancës në QKMF-në e Ferizajt.

E Agim Rexhaj, shef i departamentit të Administratës në QKMF të Ferizajt, ka pranuar se vozitësit kanë bërë kërkesë për shqyrtimin e koeficientit, porse ka thënë që Departamenti të cilin ai e drejton nuk ka pasur mundësi që të ndikojë në ndryshimin e tij. Ai ka shtuar se si rrjedhojë i janë drejtuar nivelit qendror, porse pa sukses.

“Paga e tyre nuk është pagë që duhet ta marrë vozitësi, sepse është shumë e ulët, është pagë që nuk i plotëson as nevojat elementare të tyre. Vozitësit janë një kategori e të punësuarve në QKMF që kanë punë shumë të rëndë, kanë punë shumë me përgjegjësi. Prej vozitësit varet se a do të shkojë ekipi në vendin e ngjarjes, se a do të shkojë ekipi te personi me infarkt apo a do ta dërgojë ekipin komplet pa e dëmtuar gjatë rrugës, e ka jetën e 5 personave në ekip”, ka sqaruar ai.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me shqetësimet e vozitësve për shqyrtimin e koeficientit të pagave.