Arbëri

Votohet formimi i Komisionit AdHoc për rregullimin e pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social

Deputetët kanë votuar pro formimit të Komisionit Ad Hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social.

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime, ka kaluar pika e 6 e rendit të ditës, raporton KTV.

Armend Zemaj nga LDK-ja ka thënë se rezervohen në miratimin e këtij komisioni dhe propozimin e një emri për udhëheqjen e Komisionit Ad Hoc. Ai ka thënë se këto praktika të krijimit të komisioneve të tilla nuk janë praktika të mira për Kuvendin.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka propozuar Sadete Hadergjonajn dhe Vlora Brovinën.

Fatmire Kollçaku nga VV ka thënë se ka një komision funksional i cili udhëhiqet nga vetë Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

“Nuk na pengon që të merremi si Kuvend me këtë punë, por kjo iniciative është e paarsyeshme, është një komision i panevojshëm”, ka thënë Kollçaku.

Fitim Damka është propozuar nga Grupi 6+.

Pas votimit, deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, pas votimit, tha se “pas 20 vitesh katrahurë në skemat pensionale e sociale, sonte u themelua komision i veçantë për draftimin e një Kodi Pensional dhe Beneficione Sociale”.

“Një hap i domosdoshëm në vendosjen e një rregulli dhe sistemi në shpenzimet pensionale e beneficionet sociale. Një mundësi e jashtëzakonshme që Kosova të bëhet me kod pensional për të gjithë meritorët dhe përjashtues për të gjithë mashtruesit”, shkroi ai në Facebook.