Arbëri

Votohet buxheti për vitin 2023 pa nenin kontestues

Kuvendi

Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin 2023. Paralajmërimet e opozitës se do ta dërgojnë në Kushtetuese, nëse nuk largohet një paragraf kontestues nga neni 9 i Ligjit për buxhet, kanë bërë që deputetët e pushtetit të zmbrapsen. Ky ishte amendamenti i vetëm i opozitës që kaloi në seancën e së enjtes. Amendamentet që nuk patën përkrahjen e Komisionit nuk kaluan. Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 225 milionë

Kërcënimi i opozitës se do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për buxhetin 2023 shkaku i një neni kontestues që kishte të bënte me të hyrat e komunave, zmbrapsi deputetët e pushtetit.

Në seancën e së enjtes, në të cilën u miratua buxheti për vitin e ardhshëm, deputetët aprovuan amendamentin e vetëm të opozitës, që ka të bëjë me heqjen e paragrafit 6 të nenit 9 të Ligjit për buxhetin, e që parashihte që mjetet e pashpenzuara nga të hyrat vetjake të komunave të mbledhura para vitit 2022 të shkojnë në Thesar.

Por para se të hiqej ky nen e të votohej ligji, pati akuza e kundërakuza në Kuvend mes opozitës dhe partisë në pushtet – VV.

Ky amendament ka ditë që ka nxitur kritika të shumta nga deputetët e opozitës, e kështu ishte edhe të enjten në seancë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me amendamentet që kanë kaluar në Komision, buxheti për vitin e ardhshëm do të rritet nga 3 miliardë e 212 milionë euro në 3 miliardë e 225 milionë.

Ai ka thënë se kjo lëvizje ka të bëjë me disa ndryshime për projektet që janë të financuara nga Banka Botërore apo institucionet financiare ndërkombëtare, e që nuk kanë përfunduar sivjet.

“Një pjesë e madhe e amendamenteve nuk janë miratuar, për arsye se ministritë e linjës kanë plane, ose janë paraparë për një kohë të mëvonshme”, ka thënë Murati.

Sipas tij, buxheti do të mirëmbajë konsolidimin fiskal dhe nivelin e borxhit publik dhe se do ta kthejë në rregullën fiskale para pandemisë.

E deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se asnjë nga kërkesat e organizatave buxhetore, të deputetëve, komunave dhe institucioneve të pavarura nuk janë marrë parasysh.

“Shihet qartë se Qeveria nuk është e interesuar që të mbështesë as komunat, as institucionet e pavarura, dhe në këtë mënyrë do t’i lërë në mëshirë të fatit. Kemi shumë organizata që janë të varura nga buxheti i shtetit që kanë paraqitur kërkesa në çdo komision dhe kemi një arrogancë të shumicës, që e di se i ka votat në çdo komision”, ka thënë Lushtaku.

Ai ka përmendur kërkesat e Këshillit të Pavarur të Shërbyesve Civil, të Radiotelevizionit të Kosovës dhe të komunave, që nuk janë marrë parasysh në Komision.

“Ne e dimë që deputetë janë përfaqësues të vendit dhe shihet qartë se Qeveria dhe mazhoranca kanë instaluar një politikë që të mos kalojë asnjë amendament, dhe kështu rezultoi. Do të jetë buxheti i parë që do të atakohet në Gjykatë Kushtetuese për shkak të një amendamenti që ka futur ministri i Financave, që buxhetin vetjak do t’ua merr komunave”, ka thënë Lushtaku para se të hiqej neni kontestues.

Ka theksuar mospërmendjen e koeficientit në Ligjin për paga, duke thënë se është lënë në kompetencë të Qeverisë dhe gjë që, sipas tij, nuk do të duhej të ndodhte.

E deputeti Avdullah Hoti nga LDK-ja ka thënë se në buxhet nuk janë të reflektuara as premtimet e dhëna nga vetë Qeveria.

“Kemi pritur që gjatë dy diskutimeve t’i reflektojmë disa anomali substanciale që i ka ligji, duke filluar nga e para. Ligji në pjesën tekstuale është antikushtetues. I kemi dhënë argumentet tona, është bërë një analizë nga Kuvendi dhe ministri as nuk ka dashur të dëgjojë. Sot Kuvendi mund ta votojë një ligj që mund të përfundojë direkt në Gjykatën Kushtetuese, sepse nuk mundeni që mjetet vetjake të Prishtinës, që mblidhen nga tatimi në pronë në ‘Dardani’ apo ‘Ulpianë’ të përdoren për një rrugë në Mitrovicë apo Gjilan”, ka thënë Hoti, po ashtu para se të hiqej neni për të ardhurat e komunave.

Bashkëpartiaku i tij, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Grupi parlamentar i LDK-së kërkon që të hiqet fjalia te neni 9, paragrafi 6 “të gjitha të hyrat vetjake të mbledhura para vitit fiskal 2022 të pashpenzuara të barten në bilancin bankar”.

Kjo fjali, sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim me Ligjin e financave të pushtetit lokal.

“Ne konsiderojmë se nëse mbetet në këtë mënyrë të tillë është dëmtim i buxhetit komunal dhe shkelje e Kushtetutës”, ka thënë Gashi.

Por ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se neni nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Fjalia për të cilën deputeti Gashi thotë se është problematike dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ne si Ministri e Financave nuk e konsiderojmë si të tillë, përkundrazi, vetëm një rregullim i cili i përgjigjet kërkesës së Grupit parlamentar të LDK-së. Nëse kthehemi prapa, kërkesa e GP të LDK-së ka qenë pse nuk po shpenzohen mjetet e bilancit bankar”, ka thënë Murati.

Me një kundër-replikë, deputeti Arben Gashi ka insistuar se neni është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se kjo është bindja e deputetëve të LDK-së dhe se për këtë do të vendosë Gjykata Kushtetuese.

“LDK-ja do ta dërgojë në Kushtetuese”, ka thënë Gashi.

Deputeti Armend Muja ka thënë se nuk beson në asnjë interpretim se komunat kanë të drejtë t’i bartin mjetet vit pas viti.

“Mbi bazën e rekomandimeve të auditorit duhet t’u japim kohë komunave që të përshtaten me vizionet e reja”, ka thënë Muja, duke i paraprirë votimit të amendamentit që hoqi këtë paragraf kontestues.

Përveç këtij amendamenti, asnjë tjetër i propozuar nga opozita nuk ka kaluar, gjë që ka nxitur reagimin e deputetëve.

“Duke parë që asnjë propozim i opozitës, qoftë për këtë ligj për ndarjet buxhetore, qoftë për Ligjin për Trustin, qoftë për pensionimin e policisë, nuk po kalon shkaku i disponimit të kundërt të deputetëve të Vetëvendosjes, dhe duke e ditur që nuk do të kalojë, në të ardhmen nuk do të votoj asnjë ligj, asnjë marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Rashit Qalaj i PDK-së.

Në seancë nuk kaluan as amendamentet e deputetëve të pushtetit, që ishin pa përkrahjen e Komisionit për buxhet. Një nga to ishte edhe amendamenti për dyfishim të buxhetit për rrugën Podujevë-Prishtinë, i deputetit Driton Hyseni.