Edhe shtetas të Kosovës që jetojnë në Belgjikë kanë votuar nëpër përfaqësi diplomatike të këtij shteti për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Procesi ka rrjedhur në rregull porse janë evidentuar disa keqkuptime sa i përket mënyrës së regjistrimit
Edhe shtetas të Kosovës, me banim në Belgjikë, për herë të parë kanë mundur të votojnë në objektet e ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel.
Këtu për të votuar kanë qenë të regjistruar diç më shumë se 900 persona dhe gjithçka ka shkuar në rregull gjatë procesit të votimit.
“Ndjenjë e veçantë që votuam”, ka thënë një qytetare.
“Jemi shumë të interesuar për ndodhitë politike”, ka thënë një tjetër shtetas i Kosovës.
Në Bruksel kanë ardhur për të votuar edhe qytetarët që banojnë në qytete të tjera të Belgjikës, disa prej të cilëve kanë votuar për herë të parë. Ata janë shprehur të lumtur se mund të votojnë në Bruksel, pa pasur nevojë që të udhëtojnë në Kosovë apo që të votojnë nëpërmjet postës.
Ka pasur disa keqkuptime sa i përket mënyrës së regjistrimit, sepse disa kanë ardhur për të votuar në ambasadë edhe pse kur janë regjistruar për të votuar si pjesë e diasporës kanë zgjedhur opsionin që të votojnë përmes postës.
E ata nuk mund të votojnë në vendet e votimit. Po ashtu ka pasur edhe disa qytetarë, të cilët kanë menduar se duke u regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë të Kosovës në Diasporë automatikisht e kanë marrë edhe të drejtën për të votuar, çka nuk ka qenë rasti.
Gjithsesi, fakti se kanë mundur të votojnë në ambasadën e Kosovës në Bruksel për ta ka qenë i mirëpritur.