Një ditë pasi u nominua për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka intensifikuar takimet për ta formuar qeverinë e re.
Në objektet e Kuvendit të Kosovës, Hoti ka takuar fillimisht përfaqësuesit e AAK-së.
Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj e Selim Selimi ishin në këtë takim, emrat e të cilëve janë përmendur për t’u emëruar ministra.
Tahiri tha se është i bindur se gjatë javës së ardhshme do të formohet qeveria Hoti, raporton KOHA.
Sekretari i AAK-së beson se shumë shpejt do të finalizohet marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në.
Pretendenti për kryeministër, Avdullah Hoti, ka takuar edhe zyrtarët e Nismës Socialdemokrate dhe Grupin parlamentar 6 plus.
Arban Abrashi nga LDK-ja, që ishte pjesë e këtij takimi, ka thënë se nuk do të ketë deklarime nga kjo parti pa u arritur marrëveshja e koalicionit.
Të enjten, presidenti Hashim Thaçi i dërgoi letër LDK-së duke ia kërkuar emrin e kandidatit për kryeministër.