Veri

Votimi i 21 prillit do të zhvillohet edhe nëpër kontejnerë

Të dielën, votimi për shkarkimin apo jo të kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në veri, do të mbahet edhe nëpër kontejnerë. Ato t’i zëvendësojnë objektet shkollore të cilat serbët lokalë nuk lejuan të shfrytëzohen si qendra votimi. E lidhur me bojkotin e thirrur nga Lista Serbe, njohës të rrethanave politike në veri thanë se qytetarët serbë do t’i përgjigjen, shkaku i kontrollit që ka mbi ta Beogradi zyrtar

23 nga 43 qendrat e parapara fillimisht për votimin rreth shkarkimit apo jo të kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës, pritet të hapen të dielën e 21 prillit nga ora 7 e mëngjesit.

Shkaku i pengesave të krijuara nga serbët lokalë për vënien e objekteve arsimore në dispozicion të procesit, votimi është caktuar të bëhet edhe nëpër kontejnerë. Tre syresh do të stacionohen në Komunën e Zubin-Potokut.

Për shkak të refuzimit të drejtorëve të 33 shkollave paralele në veri që këto objekte t’i vendosin për shfrytëzim për procesin e votimit, banorët e Ceceves dhe Crepulës së Zubin-Potokut, për shkarkimin e kryetarit të tyre apo për vazhdimin e mbajtjes së tij në pozitë, do të votojnë në një kontejner që do të vendoset në vendin e quajtur “Mala jabuka”.

Serbëve të veriut, “Lista Serbe”, partia kryesore serbe në Kosovë e përkrahur nga Beogradi zyrtar, u ka bërë thirrje për bojkotim të procesit. Një ditë para votimit, qytetarët në komunat veriore janë shprehur refuzues të deklarohen nëse do t’i binden apo jo kësaj thirrjeje.

E analisti politik, Branislav Kërstiq, ka thënë se qytetarët e veriut janë viktima të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe të Listës Serbe që insistuan për bojkot.

“Parashtrohet pyetja, për çka atëherë (Vuçiq – Lista Serbe) i kanë obliguar qytetarët për ta nënshkruar peticionin? Në amplitudën e tradhtisë ndaj interesave të komunitetit serb në Kosovë, ata janë duke shkuar deri në fund. Jemi dëshmitarë gjatë 12 vjetëve të fundit se Beogradi zyrtar është duke marrë vendime kundër interesave të komunitetit serb… Serbët do ta bojkotojnë (votimin të dielën) sepse Beogradi zyrtar ka mekanizmat qysh me i kontrollu serbët nga veriu i vendit”, ka thënë ai.

Kryetarët shqiptarë të Zveçanit, Zubin-Potokut, Leposaviqit e Mitrovicës së Veriut i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe.