Arbëri

Vonohet zbatimi i projektit 24 milionë eurosh për ujërat e zeza në Gjilan, fajësohet Komuna

Ndërtimi i një impianti që do t’i trajtonte këto ujëra të zeza në Gjilan ka mbetur peng i zvarritjes së zbatimit të projektit, që në total kap shifrën e 24 milionë eurove.

Projekti nisi në vitin 2018. Ai përfshin ofrimin e një kredie sovrane deri në 10 milionë euro nga BERZh-i për Qeverinë e Kosovës dhe do t’i jepet kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidromorava” si grant për ta financuar një pjesë të zgjerimit dhe rehabilitimit të rrjetit të grumbullimit të ujërave të zeza dhe ndërtimit të një impianti të ri.

Por, partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ia ka dhënë dritën e gjelbër këtij procesi në Kuvend, për shkak të vonesave që, sipas tyre, janë shkaktuar nga Komuna.

Deputeti i kësaj partie, Hekuran Murati, i ka thënë KOHËS se para se të votojnë kredi të reja ndërkombëtare duhet të sigurohen se pse nuk janë shfrytëzuar ende 520 milionë euro kredi të nënshkruara e të miratuara në Kuvend.

“Ne e kemi theksuar se është e kotë të miratohet marrëveshja ndërkombëtare pa u kryer shpronësimi nga Komuna, ashtu siç shkruan në marrëveshje. Sepse ndërtimi i projektit lejohet të fillojë tek pasi të jenë kryer procedurat e shpronësimit. Dhe ashtu doli të jetë. Për marrëveshjen e parë të këtij projekti, të cilën e kemi votuar, na është thënë që shpronësimi ka përfunduar, mirëpo një dokument që kemi pranuar së fundmi nga kryetari i Komunës së Gjilanit, aty thuhet që procesi preliminar tek tani do të fillojë, pra as që bëhet fjalë për një proces të përfunduar. Dhe, siç e kemi thënë që në fillim, vonesa është tek Komuna, e cila nuk i ka kryer detyrat e veta me kohë, gjë që po na kushton edhe me tarifa e ndëshkime për vonesat pastaj”, ka thënë Murati.

Sipas tij, vonesa është te Komuna, e cila nuk i ka kryer detyrat e veta me kohë, gjë që do t’i kushtojë vendit me tarifa e ndëshkime për vonesat.

Duke i quajtur spekulime deklarimet e Vetëvendosjes, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka theksuar se pjesa më e madhe e mjeteve financiare të projektit ka kaluar në marrëveshjen e parë në Kuvend. Pjesa e dytë e marrëveshjes që duhet të kalojë sërish në Kuvend me 2/3, sipas Hazirit, kap vlerën e 2 milionë eurove.

“Është non sens me na dëmtu me 2 milion euro të Bankës Evropiane, sepse kjo është grant, është dhuratë për qytetarët e Gjilanit, dhe ky grant nuk mund të ndalet, vetëm mund të vonohet dhe natyrisht që komuna i merr obligimet. Procesi, ndërtimi i fabrikës, i impiantit nuk mundet me fillu pa u bë shpronësimi sepse është në kontratë, dhe ne do ta kryejmë shpronësimin, por mos të harrojmë që ne do të fillojmë me ndërtimin e kolektorëve kështu që ata janë pjesa kryesore kritike e cila i ndan ujërat e zeza nga ujrat atmosferik”, ka thënë Haziri.

Kreu i Gjilanit thotë se tashmë janë kryer procedurat e shpronësimit në lokacionin ku do të ndërtohet impianti për ujërat e zeza dhe se procesi aktualisht gjendet në fazën e vlerësimit të tokës, që bëhet nga Ministria e Financave.

“Në fazën e parë gjatë kësaj jave për shkak të pandemisë ka vonesa dhe për shkak të vonesës së ratifikimit nga ana e Kuvendit të Kosovës, por ne kemi arritur ta debllokojmë situatën dhe gjendja kërkon që ne përveç planit për implementim ta kemi vitin e ardhshëm edhe planin për kompensim, apo shpronsim të tokave të banorëve që është shpall interes i përgjithshëm dhe në harmoni të plotë me pronarët e tokave, Uglar e Malishev tek vendi ku implementohet impianti i ri”

Në planprogramin e projektit theksohet se ndërtimi i impiantit përfshin blerjen e rreth 37 parcelave të tokës bujqësore private për qëllimin e ndërtimit të impiantit dhe për rrugën për qasje në lokacionin e impiantit afër fshatit Uglar në lumin Morava.

Në bazë të këtij plani, projekti ishte paraparë që të përfundonte deri më 25 prill 2019.

Tek objektivat e projektit theksohet se zbatimi i tij do të rezultojë me përfitime të konsiderueshme mjedisore për burimet lokale të ujit të freskët duke i ulur në masë të konsiderueshme vëllimet e ujërave të zeza të papërpunuara dhe ngarkesat ndotëse që ndërlidhen me to dhe që do të shkarkohen drejtpërsëdrejti në lumë.

Pjesa e dytë e projektit, Projektligji për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për investime në projektin e impiantit të ujërave të zeza në Gjilan ka dështuar disa herë të votohet në Kuvendin e Kosovës.