Stacioni i njohur si “Te xhamia e Llapit” është ndër stacionet më të frekuentuara të Prishtinës.
Në mungesë të një pritoreje, qytetarët po përdorin hijen e drunjve për t’u strehuar.
Më të moshuarit përdorin trafon e rrymës për t’u mbështetur në pritje të ardhjes së transportit urban.
E disa të tjerë, kanë gjetur një vend edhe për t’u ulur.
Ka një vit që në atë stacion është hequr pritorja për të mos u zëvendësuar më me një tjetër.
“Unë pothuajse çdo ditë dal në qytet. Ulësja ka qenë, por kur janë ngjitur këto pllaka, më nuk është rikthyer. Bëj apel që të rikthehet ulësja se është shumë e nevojshme. Se këtu ka të moshuar, të sëmurë e fëmijë e duhet të presin në këmbë”, tha për KTV-në Ejup Tahiri, banor i Prishtinës.
Ejup Tahiri, thotë se ky nuk është vendi i vetëm që mungojnë pritoret në kryeqytet.
“Ka gati 1 vjet që është hequr. A kthehen përmbas t’i shikojnë punët që i kryejnë. Stacione ka në çdo qytet të botës. Ky nuk është i vetmi vend, ka plot vende të tjera që mungojnë pritoret”.
E Sahit Hasani thotë se po e kanë shumë të vështirë pritjen në këmbë.
“Përpara kanë qenë do ulëse e i kanë larguar krejt që të mos u pengojnë bizneseve këtu. Pensionerët e të moshuarit vijnë këtu dhe presin deri t’u bjerë të fikët. Në rast se bie shi, mbështetemi për muri.”
Ka disa vjet që Prishtina ka pasur kontratën për vendosjen e pritoreve të reja.
Kjo kontratë ka skaduar në fillim të këtij muaji dhe shumë vende në Prishtinë vazhdojnë të jenë pa pritore.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, thotë se janë duke shikuar mundësinë e duhur për një kontratë të re për furnizimin e të gjitha stacioneve me pritore.
Ndërsa për kontraktorin paralajmëron ndëshkime.
Por vetë kompania Selman’s Network thotë se vonesat kanë ndodhur për shkak të ndryshimit të modelit të pritoreve pas nënshkrimit të kontratës.
“Paramasa e re ka qenë trefish më e madhe dhe e izoluar në tri anët, që i bie një kosto ekstra. Pastaj ka pasur edhe pjesën e gjelbërimit lart, që për ne ka qenë komplikim ekstra. Asnjë rritje s’kemi pasur. 150 pritore kryhen me 295 mijë euro, a kjo kosto tashmë e kalon 1 milion euroshin si investim. Ne jemi duke i implementuar, pra vonesat nuk kanë qenë problem i kostos, por modeli i ri zë më shumë hapësirë. 4 metra e gjysmë ka qenë pritorja e vjetër, ndërsa këto janë 9 metra”, tha Betim Selmanaj, drejtor i Selman’s Network.
Megjithëse ka përfunduar kontrata, drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie, Betim Selmanaj, thotë se ata janë duke vazhduar me vendosjen e pritoreve të reja dhe deri në dhjetor do t’i përfundojnë të gjitha ato që parashihen me kontratën.
“Tash jemi duke shkuar shumë më shpejt dhe komplet qendra me 50 pritore do të kompletohet deri në dhjetor”.
Së fundmi, është vendosur pritorja e re afër Katedrales, përderisa, kompania premton se do bëjnë çmos që sa më shpejt edhe stacioni te “Xhamia e Llapit” të bëhet me pritore.