Arbëri

Von der Leyeni: Shqipëria ka kryer reformat, që ia siguruan 920 milionë euro

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e nisi me Tiranën turnin e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas takimit që e pati me kryeministrin Edi Rama, ajo konfirmoi se Shqipëria do të përfitojë 920 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, teksa theksoi se ky shtet ndodhet në rrugën për t’u bërë pjesë e zonës unike të pagesës në euro

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se Shqipëria do të përfitojë 920 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nga i cili vendet e Ballkanin Perëndimor do të përfitojnë në total 6 miliardë euro.

Tek foli në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë, ku qëndroi për vizitë të mërkurën në kuadër të turnit të saj përreth vendeve të Ballkanit Perëndimor, Von der Leyeni theksoi se shteti i Shqipërisë ndodhet në rrugën që të bëhet pjesë e zonës unike të pagesës në euro.

“Tashmë ka një vit që ka filluar puna në agjendën e reformave dhe vendet e Ballkanit e kanë gati këtë agjendë. Shqipëria është një nga këto vende dhe, i dashur Edi, ekipi juaj ka bërë një punë të shkëlqyer për reformat. Tashmë duhet të fillojmë me financimin prej 64 milionë eurosh përpara fundit të vitit. Gjithsej, Shqipëria do të marrë më shumë se 920 milionë euro nga Plani i Rritjes. Plani i Rritjes do të sjellë edhe rezultate të tjera, ju jeni në rrugën që të bëheni pjesë e zonës unike të pagesës në euro. Kjo do të thotë që transferet në para do të jenë më të sigurta dhe më të shpejta”, ka thënë ajo.

E kryeministri Rama vlerësoi se nisja e negociatave me BE-në e përbën një sfidë, të cilën Shqipëria do ta çojë deri në fund.

“Ne jemi shumë të vendosur që t’ia dalim edhe në këtë. Siç e dini, skuadra jonë e negociatave është gati dhe ka treguar në Bruksel që është në lartësinë e duhur për t’u përballur me një sfidë të re. Ne e dimë që është një sfidë që nuk shkon duke u bërë më e lehtë, shkon duke u bërë më e vështirë, sepse tani bëhet fjalë për një sërë detyrash”, ka thënë ai.

Të dy kanë folur edhe për procesin e integrimit.

Von der Leyen ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është prioritet i saj edhe në mandatin e saj të dytë si shefe e organit ekzekutiv të bllokut.

“Zgjerimi është përparësi e lartë edhe në mandatin tim të ardhshëm. Ka të bëjë me planin tonë të rritjes për Ballkanin Perëndimor, e diskutuam edhe në Berlin. Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët me partnerët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse ka ndonjë datë kur Shqipëria do të mund të bëhej anëtare e BE-së, Von der Leyen tha se kjo varet nga “puna dhe meritat”.

Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor, plot 10 vjet pasi e kishte marrë statusin e vendit kandidat.

Rama tha se Shqipëria është e “vendosur” për t’i kryer detyrat e saj në rrugën drejt BE-së.

“Jemi shumë të vendosur t’ia dalim. Janë një sërë detyrash, janë mijëra! Detyra që duhet të përkthehen në ligje, akte nënligjore, por dhe në prova të zbatimit”, ka thënë ai.

Gjatë vizitës në kryeqytetin e Shqipërisë, shefja e KE-së është paraparë të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj të enjten në mëngjes.

Vizita e Von der Leyenit në rajon, sipas paralajmërimeve nga KE-ja, do të përqendrohet në promovimin e ndihmës që BE-ja u ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.

Në kuadër të turnit, ajo do të qëndrojë për vizitë edhe në Kosovë të shtunën, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti.