Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të enjten do ta vizitojë Kosovën në kuadër të turnout të saj në Ballkanin Perëndimor.
Në agjendën e saj thuhet se Von der Leyen do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën pas takimit do të ketë konferencë për shtyp, e pas Osmanit, do ta takojë edhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilin do ta vizitojë një projekt të financuar nga Bashkimi Evropian për efiçiencën e energjisë. Bashkë me ta do të jenë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ajo e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Po të enjten, Von der Leyen do ta zhvillojë edhe një tjetër vizitë në Shqipëri.
Ceremonia e mikpritjes do të mbahet në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në orën 14:30, ndërsa një takim bilateral ndërmjet saj dhe kryeministrit Edi Rama do të mbahet në orën 15:45 në Kryeministri, me të cilin do të ketë edhe konferencë për media.