Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Bashkimi Evropian bashkë me NATO-n duhet të dalin me një plan sigurimi për veriun e Kosovës.
Në diskutimin e eurodeputetëve për sulmin e 24 shtatorit në veri, që po mbahet të martën në Parlamenitn Evropian, Von Cramon ka thënë se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë lë të kuptohet që paqja në Ballkanin Perëndimor nuk mund të merret si e mirëqenë.
Ajo ka bërë thirrje për Serbinë që të kërkojë përgjegjësi nga sulmuesit, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
“Sulmi brutal ndaj policëve të Kosovës në Banjskë është përkujtim i qartë që nuk mund ta marrim për të mirëqenë paqen në Ballkanin Perëndimor. Polici i vrarë, Afrim Bunjaku në detyrë është goditje ndaj paqes, sigurisë, jetës normale në veri të Kosovës. Duhet qartësisht të bëjmë thirrje që sulmuesit të thirren para drejtësisë. Millan Radoiçiq nënkryetari i Listës Serbe me seli në Beograd, Serbia duhet të veprojë në mënyrë të pakushtëzuar në çdo hetim dhe të kërkojë përgjegjësi nga gjithë sulmuesit, përfshirë Radoiçiqin. Edhe ne duhet të veprojmë, BE-ja bashkë me NATO-n duhet të dalin me një plan sigurimi për veriun e Kosovës. Përforcimi i trupave të KFOR-it është suksesi në dorën tonë”, ka thënë ajo.
Mandl: Duhet t’i bëhet e qartë regjimit të Vuçiqit se njerëzit në Kosovë s’mund të provokohen
Eurodeputeti austriak Lukas Mandl, ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell anëtarët e tjerë të Komisionit, që nuk kanë marrë pjesë në seancë në Parlamentin Evropian.
Mandl ka thënë se Komisioni ka dështuar me politikën e vetë në Ballkanin Perëndimor.
“Komisioni nuk duhet t’i kthehet punës së vetë të përditshme, sikur çdo gjë është në rregull. Duhet t’ia bëjë të qartë regjimit të Vuçiqit dhe të gjithë të tjerëve në atë anë, se njerëzit në Kosovë s’mund të provohen e duhet të ketë deeskalim”, tha Mandl.

Eurodeputeti sllovak: Që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet, dialogu ka ngecur
Eurodeputeti sllovak Vladimir Bilcik ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur që prej marrjes së mandatit si kryeministër të Albin Kurtit.
Duke folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ai ka theksuar se duhen fakte që zbulojnë rrethanat si ndodhi dhe jo “shpallje emocionale në media”.
“Nëse shikoj pamjen e gjerë të dialogut, duhet të them se me arritjen e Albin Kurtit në pushtet, dialogu ka ngecur fatkeqësisht dhe nuk po ecën drejt zgjidhjes, siç është Asociacioni dhe zgjedhjet e reja në veri. Këtë po e them si dikush që është hapur kritik ndaj palës serbe në shumë çështje. Kemi nevojë për zbulimin e asaj çfarë ka ndodhur më 24 shtator dhe topi gjithsesi është në anën e Beogradit. Na duhen fakte dhe jo këto shpallje emocionale në media. Nuk po kemi nevojë për zëra të lartë se kush ka faj, apo simpati nga jashtë. Destabilizimi i Ballkanit Perëndimor i jep dobi vetëm Rusisë”, ka thënë ai.
Eurodeputetët kroatë: Serbia, arsyeja kryesore për jostabilitet në Kosovë
Eurodeputetët kroatë, Ladislav Ilçiq dhe Tomislav Sokol, kanë akuzuar Serbinë për jostabilitet në Kosovë.
Në diskutimin e eurodeputetëve për sulmin e 24 shtatorit në veri, që po mbahet të martën në Parlamentin Evropian, Ilçiq ka thënë se një sulm i ngjashëm si ai i 24 shtatorit në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës ka ndodhur para 30 vjetësh në Kroaci, gjë që ka nxitur luftën.
Tashmë është vërtetuar ajo që kemi thënë shumë herë këtu, Serbia është arsyeja kryesore për jostabilitet në Kosovë. Sulmi ndaj Policisë është akt klasik terrorist dhe z.Borrell e pati mundësinë dhe e tha që ishte i tillë. Të njëjtën e kishin bërë ndaj një polici kroat para 30 vjetëve për të nxitur luftën në Kroaci. Vuçiqit nuk i intereson mirëqenia e njerëzve që jetojnë në Kosovë, ai vetëm dëshiron ta mbajë Kosovën në tension.
Ndërkohë, eurodeputeti tjetër nga Kroacia, Tomislav Sokol, ka thënë se politika hegjemonike serbe po vazhdon dhe po e destabilizon Kosovën dhe kjo duhet ndalur.
“Katër të vdekur, ky është rezultat i këtij grupi paramilitar serb, grupi terrorist që ka sulmuar Kosovën. Metodat serbe na përkujtojnë truqet e përgjakshme që kanë ndodhur njëjtë edhe në Kroaci. Nuk ka kurrfarë dyshimi se këto sulme kanë qenë nën mbrojtje dhe organizimin e Serbisë. Kam shpresuar që hegjemonia serbe do të përfundonte, por situata nuk është përmirësuar fare. Kjo politikë hegjemonike serbe po vazhdon dhe po destabilizon Kosovën. Nëse Serbia qëndron pas saj, duhet dënuar”, ka thënë Sokol.
Teksa eurodeputeti i Bullgarisë, Andrey Kovatchev, ka thënë se lidershipi serb duhet të zgjedhë ose me Bashkimin Evropian ose me Rusinë.
“Ata që janë përgjegjës për sulmin duhet të vihen para drejtësisë, për të arritur këtë duhet të ketë hetime të thella se kush ka qenë prapa sulmit, kush i ka dhënë urdhrat dhe ku është marrë i gjithë ky armatim. KFOR-i duhet të përforcohet dhe duhet të ketë masa mbrojtëse për të siguruar që një sulm i tillë terrorist të mos ndodhë më. Po e përsëris edhe një herë thirrjen për lidershipin serb që të zgjedhë anën ose me BE-në dhe vendet demokratike ose me Rusinë e Putinit”, është shprehur ai.