Banorët e fshatit Pjetërshticë të Komunës së Shtimes prej vitesh po kërkojnë nga komuna ndërtimin e një objekti për kryerjen e ceremonive të varrimeve, ndërkohë rreth kësaj çështje së fundi banorët kanë dorëzuar edhe një peticion me 300 nënshkrime.
Kuvendi Komunal në Shtime me vota unanime ka marrë vendim që objekti të ndërtohet në pronë publike, por ditë më parë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe e Infrastrukturës e ka refuzuar vendimin e komunës duke e cilësuar si të kundërligjshëm dhe ka kërkuar nga Kuvendi Komunal që ta rishqyrtojë vendimin.
“MMPHI-ja pas shqyrtimit të vendimit për destinimin e pronës së komunës për aktivitete të ngushëllimeve të komunitetit të fshatit Pjetërshticë, i miratuar nga Kuvendi Komunal dhe bazuar në dispozitat e ligjit për planifikimin Hapësinor dhe akteve nënligjore në fuqi, konstatoi se: Hyrja e vendimit duhet të ketë bazë në ligjin Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, pastaj të shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor, pastaj vendimi duhet të jetë i bazuar në dokumentet e planifikimit hapësinor sipas ligjit dhe dokumentet tjera që janë të parapara me këtë ligj”, thuhet në vendimin e MMPHI-së dërguar Komunës së Shtime.
Sipas këtij vendimi të cilin e ka siguruar KOHA, më tej sqarohet se Kuvendi Komunal në Shtime duhet ta shqyrtojë ligjshmërinë e vendimit sepse thuhet nuk lejohet destinim tjetër apo shfrytëzueshmëri tjetër nga ajo që është e paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor.
“Të veprohet sipas vlerësimit të ligjshmërisë së aktit nga MMPHI-ja, dhe të merret vendim i drejtë dhe i ligjshëm në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi, jo më vonë se afati i paraparë në diapozitivat e nenit 9 të Rregullores (QRK) Nr.06/2021 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores (QRK) Nr.10/2019 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave”, thuhet më tej në vendimin e MMPHI-së.
Në anën tjetër banorët e fshatit Pjetershticë, kanë thënë se është i domosdoshëm ndërtimi i objektit për ceremoni të varrimeve pasi që fshati numëron rreth 500 banorë, ndërkaq kanë shprehur gatishmërinë edhe për bashkëfinancim.
Përfaqësuesi i këtij fshati, Musli Musolli, ka thënë se banorët kanë mbledhur gjithsejtë 300 nënshkrime me qëllim që objektit të ndërtohet në një pronë publike.
“Për banorët është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme ta kemi një objekt të tillë për ceremoni të varrimeve andaj kërkesat dhe peticionin i kemi dorëzuar në komunë.
Komuna e ka pranuar propozimin tonë dhe kemi marrë zotime se do të rregullohet. Ndërkaq ne si banorë kemi shprehur gatishmërinë që të participojmë sipas mundësive tona, mirëpo nuk e dimë se deri ku kanë vazhduar procedurat”, ka thënë Musolli.
Rreth kësaj çështjeje të hënën nëpërmjet një shkrese ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës, dega në Shtime.
“Qemajl Aliu dhe Lëvizja Vetëvendosje në Shtime në koalicion me LDK-AKR janë duke bërë shkelje të vazhdueshme të ligjit në përmasa të mëdha, si në ekzekutiv po ashtu edhe në legjislativ pa marrë parasysh rekomandimeve që ne si opozitë japim, ata përsëri shkelin ligjin. Ka shkelje drastike të ligjit në fushën e punësimit, në arsim, shëndetësi po ashtu tani më janë publike vendimet e Kuvendit të cilat po kthehen nga MAPL si të kundërligjshme si pasojë e mos diturisë së përgatitjes, procedurave nga ana e ekzekutivit. Më e keqja është se këto vendime siç është rasti për ndërtimin e objektit për ceremoni të varrimeve në Pjetërshticë, tentohen të mbahen të fshehta si nga kryesuesi i Kuvendit po ashtu edhe nga kryetari i Komunës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Shtime, Adnan Ademi, të hënën nuk ka qenë i qasshëm për të marrë një përgjigje lidhur me rekomandimet e MMPHI-së për rishqyrtim të vendimit. Ndërkaq, në vendimin e Kuvendit Komunal të datës 15.03.2023 të cilin e ka siguruar KOHA, midis të tjerash thuhet se kuvendarët unanimisht miratuan vendimin që t’i lejohet banorëve të fshatit Pjetërshticë për ta shfrytëzuar përkohësisht pjesën e ngastrës kadastrave P-72809064-01514-1 me sipërfaqe prej 500 metër katrorë.
“Sipërfaqja prej pesë ari tokë në pjesën kadastrave në Pjetërshticë, mund të shfrytëzohet nga komuniteti i fshatit përkohësisht, në afat të pa caktuar, deri në momentin kur komuna ka ndonjë interes të përgjithshëm më të rëndësishëm. Sipërfaqes së tokës nuk i ndërrohet pronari dhe nuk ndryshohet statusi i pronës, por vetëm do të shfrytëzohet përkohësisht nga komuniteti për ndërtimin e një objekti për ngushëllime me leje të drejtorisë për Planifikim Urban, Kadastër e Gjeodezi”, thuhet midis të tjerash në vendimin e Kuvendit Komunal të Shtimes.
{gallery}