Arbëri

Vlerësohet se veprimet e Serbisë në veri e sfiduan edhe NATO-n

Banjska

Enver Dugolli, anëtar i Komisionit parlamentar për siguri, ka vlerësuar se janë pikërisht veprimet e Serbisë ato që e kanë nxitur reagimin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. “Ka qëndrim armiqësor ndaj Kosovës, madje atë që e pamë më 24 shtator dhe jo vetëm, janë sulme direkte të integritetit të shtetit tonë. Është edhe njëfarë sfide që ia ka bërë edhe NATO-s, përmes veprimeve që e ka sfiduar, sepse KFOR-i është këtu me mandat të NATO-s, sulmin që e ka bërë”, ka thënë ai

Nëpërmjet sulmeve në veri dhe shtimit të prezencës së ushtrisë afër kufirit me Kosovën, Serbia është duke e sfiduar edhe Aleancën Veriatlantike të NATO-s dhe përgjithësisht Perëndimin, kanë thënë të premten zyrtarë shtetërorë dhe njohës politikë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka rritur prezencën në veri dhe një ditë më parë edhe misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka njoftuar se ka dërguar një ekip të specializuar për veprim në këtë pjesë të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.

“Më 23 nëntor, një Ekip i Specializuar (ES) prej gjashtë Këshilltarësh Policorë u dislokua në Kosovë për të përforcuar kapacitetin këshillues dhe monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane”, thuhet në njoftimin e misionit.

Dislokimi i këtij ekipi do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit derisa “misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”.

Enver Dugolli, anëtar i Komisionit parlamentar për siguri, ka vlerësuar se janë pikërisht veprimet e Serbisë ato që e kanë nxitur reagimin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

“Ka qëndrim armiqësor ndaj Kosovës, madje atë që e pamë më 24 shtator dhe jo vetëm, janë sulme direkte të integritetit të shtetit tonë. Është edhe njëfarë sfide që ia ka bërë edhe NATO-s, përmes veprimeve që e ka sfiduar, sepse KFOR-i është këtu me mandat të NATO-s”, ka thënë Dugolli.

E, analisti politik, Gazmir Raci, ka tërhequr vërejtjen se veprimet e Serbisë janë duke u orkestruar nga Moska zyrtare, me qëllim që të nxisin destabilizim në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Herët a vonë, nëse Serbia dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s, e ka domosdo që ta harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian, sepse është kriter i panegociueshëm. Dhe këtë sfidë e ka Serbia, por natyrisht Rusia është faktori më destabilizues që përmes Serbisë, dëshiron të bartë atë pjesën e konfliktit për të cilin ka folur edhe Zelenski”, ka theksuar Raci.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë gjatë javës së shkuar se posedon informata që Rusia synon të nxisë konflikte në Ballkanin Perëndimor. Pas kësaj deklarate, si vatrat me potencial më shpërthyes janë vlerësuar veriu i Kosovës dhe Republika Serbe e Bosnjë-Hercegovinës.

Krahas kësaj, Këshilli i Evropës ka publikuar të enjten një raport në të cilin alarmohet për mundësinë e rikthimit të konfliktit në Ballkan. Në të theksohet se lideri i Republikës Serbe, Milorad Dodik, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë lidhje të ngushta me Moskën.

Deputeti Dugolli ka thënë të jetë e pakuptueshme përse Bashkimi Evropian (BE) nuk tregon qasje ndryshe ndaj Serbisë.

“NATO-n ata e shohin si armiqësore. Asnjëherë nuk duan dhe nuk e pranojnë faktin që t’i bashkohen apo që të tentojnë t’i bashkohen NATO-s. Ata janë shprehur qartazi se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj organizate. Është e habitshme se si një shtet me udhëheqje kaq të kriminalizuar, kaq proruse ka bërë hapa goxha të shumtë në drejtim të Bashkimit Evropian, pra që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, Serbia në një formë është toleruar, nuk është qortuar”, ka thënë ai.

Këtë javë ka zhvilluar vizitë në vendet e rajonit sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në Beograd, ai ka shprehur kritikën për përqendrimin e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën. Porse presidenti serb Vuçiq i ka thënë se çështja e pozicionimit të ushtrisë është punë e Serbisë.