Arbëri

Vlerësohet lart roli që Kuvendi i Junikut ka në pavarësinë e Shqipërisë

Vjosa Osmani - Kuvendi i Junikut 110 vjetori

Në manifestimin për shënimin e 110-vjetorit të ngjarjes që i ka paraprirë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani dhe homologu i saj nga Shqipëria, Ilir Meta. Ata kanë vlerësuar se Kuvendi i Junikut ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në bashkërendimin e përpjekjeve të popullit shqiptar për organizim dhe kryengritje të armatosur

Përvjetori i 110-të i Kuvendit të Junikut ka bërë bashkë në një manifestim presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe homologun e saj të Shqipërisë, Ilir Meta.

Në shënimin e këtij përvjetori, presidentët e të dyja vendeve e kanë vlerësuar Kuvendin e Junikut, si platformën më të pastër politike, ushtarake e kombëtare për çlirim të trojeve shqiptare.

Sipas tyre, kjo ngjarje ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në bashkërendimin e përpjekjeve të popullit shqiptar për organizimin e kryengritjes, që i ka paraprirë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

“Kuvendi i Junikut u mbajt në një moment vendimtar të historisë së popullit shqiptar dhe u dha krahë përpjekjeve të tij për mëvetësim. Ajo hyn në rrjedhën e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, duke qenë se ofroi platformë të qartë për lirinë e tij. Në mënyrë të mahnitshme nga 21 deri më 25 maj të vitit të pavarësisë, përfaqësues të trevave të ndryshme shqiptare të vilajeteve të atëhershme u mblodhën bashkë në këtë vend të qëndresës historike, të cilat e simbolizojnë sot kullat e gurta, kaq të bukura”, ka thënë presidentja Osmani.

Sipas saj, organizimi i këtij kuvendi shënon jo vetëm ngjarje të rëndësishme historike, por edhe shembull të artikulimit të qartë politik dhe të kërkesave të popullit shqiptar për liri.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka rikujtuar se për katër ditë dhe net në atë kohë në Junik është diskutuar dhe debatuar për bashkimin dhe fillimin e një kryengritjeje të përbashkët në Kosovë dhe në mbarë veriun e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e trojeve kombëtare.

“Në atë Kuvend, në një moment vendimtar të historisë sonë kombëtare, u lidh besa për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha 500-vjeçare osmane. Kuvendi i Junikut paraqiti platformën e pastër politike dhe ushtarake, kombëtare për çlirim. Treguesi më i qartë për këtë qëndrim ishin edhe 12 pikat e programit që u bë edhe platforma kryesore e lëvizjes mbarëkombëtare për liri dhe për pavarësi”, është shprehur Meta.

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka thënë se datat kur u mbajt Kuvendi u takojnë ngjarjeve më të mëdha të historisë shqiptare.

“Edhe sot, 110 vjet pas Kuvendit të Junikut, mesazhet dhe idealet e ideologëve si të Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Curri e shumë atdhetarëve të tjerë, duhet të jenë shembulli më i mirë se si duhet punuar e angazhuar në shërbim të popullit shqiptar”, ka deklaruar Shehu.

Kuvendi i Junikut u mblodh më 21-25 maj 1912 në Junik, me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të kishin marrë pjesë 250 delegatë. Ai miratoi programin politik, i cili përmbante kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare dhe ngritjen e flamurit shqiptar në të gjithë vendin.

Para manifestimit për 110-vjetorin e Kuvendit të Junikut, presidentja Osmani është pritur në takim nga kryetari i Junikut, Shehu. Ky takim është mbajtur në kuadër të vizitave që ajo është duke i zhvilluar nëpër komuna.

Pas takimit me Shehun, Osmani ka thënë të kenë diskutuar për zhvillimin ekonomik të Komunës së Junikut, me theks të veçantë të turizmit. Presidentja ka shprehur gatishmëri për mbështetje për t’i tejkaluar sfidat në këtë sektor.

“Kjo komunë mund të ofrojë shumë, jo vetëm për qytetarët e saj, por për gjithë Kosovën – është fusha e turizmit në njërën anë dhe fusha e agrobiznesit dhe bujqësisë në anën tjetër. Po ashtu, diskutuam se si mund të thithim sa më shumë investitorë të huaj në këtë komunë, sidomos në fushën e turizmit. Por, folëm edhe për disa prej pengesave me të cilat ballafaqohet kjo komunë, në mënyrë që t’i anashkalojmë ato apo t’ia lehtësojmë rrugën përpara me mbështetjen e plotë të nivelit qendror”, është shprehur Osmani.

Ndërkaq, kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, vizitën e ka cilësuar si jashtëzakonisht të rëndësishme.