Arbëri

Vlerësohet lart kontributi i fotoreporterit Alban Bujari

Alban Bujari

Alban Bujari (1970-2025)

Është vlerësuar lart kontributi në dokumentimin e historisë së Kosovës gjatë dhe pas luftës, i fotoreporterit të KOHËS, Alban Bujari, i cili vdiq të enjten në moshën 55-vjeçare. 

Drejtoresha e KOHËS, Flaka Surroi, ka vlerësuar se Bujari me punën e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme “në jetët dhe historinë tonë të luftës dhe paqes”.

“Të tronditur me ikjen e papritur dhe të hershme të Albanit. Miku dhe fotografi që la gjurmë të pashlyeshme në jetët dhe historinë tonë të luftës dhe paqes. Pusho i qetë Alban”, ka shkruar Surroi.

Për vdekjen e Bujarit ka shkruar edhe kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi. 

"Iku Alban Bujari - fotoreporteri i luftës dhe paqes, profesionisti i fotografise, kolegu në KOHA. Por, na la në shok!  Zbrazëtia është e madhe dhe e papërshkrueshme, ashtu si edhe dhimbja. Por, kemi kujtimet që ndërtuam me vite e vite. Ato janë të paçmueshme.  Shembëlltyrën e Albanit do ta kemi përçdoherë këtu, në mes nesh", ka shkruar Rexhepi. 

Alban Bujari ishte pjesë e ekipit të KOHËS që kur nisi karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997.

Ish-kryeredaktori i KOHËS, Agron Bajrami, ka thënë se fotografitë e Bujarit janë historia e Kosovës. 

“Zor me i gjet fjalët e duhura që e përshkruajnë në tanësi dedikimin e tij për artin e fotografisë, për profesionin e reporterit të luftës e kronistit të paqes, dashurinë për familjen, miqtë, vendin, kombin. Për rreth 30 vjet sa punuam bashkë, Albani ishte ai që me kamerën e tij shihte atë që ne nuk e shihnim me sy. Thonë se një fotografi vlen sa një mijë fjalë. Në rastin e Albanit, mija fotografitë e tij janë historia e Kosovës vet”, ka shkruar Bajrami.

Publicisti Veton Surroi ka shkruar se Bujari me punën e tij është bërë pjesë e historisë së pashlyeshme.

“Alban Bujari mbylli sytë. Ato që panë tmerret e fëmijëve të vrarë, heshtjen bubulluese të shtëpive të djegura, vendosmërinë e njerëzve të kësaj toke për liri, gëzimin e paqes e ditëve të pafrikë-që të gjitha nga objektivi i kamerës e prej saj te të gjithë lexuesit e ‘Kohës’. Shoku trim e i pandashëm i një gjenerate që solli e dokumentoi lirinë u bë pjesë e historisë së pashlyeshme, duke lënë një zbrazëti të madhe këtej”, ka shkruar Surroi.

Me anë të një telegrami, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Bujarit. 

“Humbja e Alban Bujarit është një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin e gazetarëve, por për të gjithë shoqërinë. Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten të pashlyeshëm”, thuhet në telegram.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se Bujari ishte “dëshmitar i së vërtetës sonë më të rëndë”. 

“... një njeri që me guxim dhe përkushtim e vuri talentin e tij në shërbim të kujtesës kolektive. Ai e pa dhe i tregoi botës luftën, me sytë e një njeriu që e ndiente dhimbjen e popullit të tij. Nëpërmjet fotografive, u dha zë atyre që nuk mundën të flisnin. E tani, imazhet e tij mbesin dëshmi e së vërtetës sonë historike. Trashëgimia e tij do të jetojë gjatë, si kujtim dhe si testament”, ka shkruar Çeku.

Për kontributin e tij kanë shkruar edhe politikanë. Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe të gjithë ata që e njohën Bujarin. Kryetari i partisë, Memli Krasniqi, ka thënë se fotografi i shquar portretizoi përjetësisht në histori dhembjen, qëndresën dhe triumfin e popullit tonë për liri. 

"Me fotografitë e tij, Albani na la një testament të pashlyeshëm të së vërtetës dhe të rrugëtimit tonë monumental, duke i bërë ato momente pjesë të ndërgjegjës globale, përmes botimit në gazetat më të mëdha botërore", ka shkruar ai. 

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka ngushëlluar familjen dhe ata që e njohën Bujarin. "Sot spo kam as fjalë. Dritë të pastë shpirti", ka shkruar Çitaku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm Bujarin, që sipas tij, me artin dhe përkushtimin e tij i dha zë historisë.

Abdixhiku ka thënë se Bujari e bëri të pavdekshme dhimbjen e popullit gjatë luftës, përmes fotografive të tij. Vepra e Bujarit do të jetojë gjithmonë në historinë e Kosovës, shtoi ai. 

“I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Alban Bujarit, fotoreporterit të jashtëzakonshëm, i cili me artin dhe përkushtimin e tij i dha zë historisë sonë, duke e rrëfyer përmes imazheve dhimbjen, sakrificën, të vërtetën dhe aspiratat e popullit tonë. Alban Bujari nuk ishte vetëm një fotoreporter, por një dëshmitar i kohërave më të vështira i rrugëtimit tonë drejt lirisë. Përmes objektivit të tij, ai e bëri të pavdekshme dhimbjen e popullit tonë gjatë luftës dhe më pas shpresën e një Kosove të lirë”, ka shkruar Abdixhiku. 

Ndërkohë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se trashëgimia e Alban Bujarit do të mbetet e përjetshme e kontributi i tij do të frymëzojë brezat e ardhshëm të gazetarëve dhe fotoreporterëve. 

"Ikja e tij e parakohshme është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por edhe për gjithë komunitetin e gazetarëve dhe artin e fotografisë dokumentare. Ai e përjetësoi me aparatin e tij momente historike të kombit tonë, duke dëshmuar me profesionalizëm dhe pasion realitetin e kohëve më të vështira dhe ato të ndërtimit të paqes", ka shkruar në Facebook Kusari-Lila.

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se Bujari përmes fotografive ka dokumentuar krimet serbe që në Kosovë. 

“Ai rrezikoi jetën për t’i treguar botës tmerret që po përjetonin shqiptarët gjatë luftës. Do ta kujtojmë me krenari e respekt fotografinë dokumentare të Albanit. Fotografitë e Albanit do të jenë pjesë e përjetshme e historisë së Shtetit të Kosovës”, ka shkruar Bajrami.