Edhe në shoqërinë civile është kontestuar vendimi i Këshillit Gjyqësor që ua mundëson anëtarëve jogjyqtarë të marrin edhe nga 1565 euro në muaj, krahas shtesës së rregullt. Në Grupin për Studime Politike dhe Juridike argumentuan se si është shpërfillur Ligji për Pagat në këtë rast. Ndërkaq Këshilli Gjyqësor refuzoi kërkesën për qasje në procesverbalin e mbledhjes, gjatë së cilës është marrë vendimi për shtesat
I paligjshëm është vlerësuar të mërkurën në shoqërinë civile vendimi i Këshilli Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për kompensimin e anëtarëve të tij jogjyqtarë.
Një ditë më parë KOHA raportoi se me këtë vendim u është siguruar anëtarëve jogjyqtarë shtesa mujore mbi 1 mijë e 500 euro, krahas shtesës tjetër të rregullt që e marrin në shumën 346 euro.
Naser Shamolli, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLSP), ka thënë se Ligji për pagat në sektorin publik nuk parasheh shtesa të këtilla.
“Vendimi si i tillë hap disa diskutime rreth ligjshmërisë që e ka në vetvete. Pikë së pari baza ligjore në bazë të së cilës është nxjerrë ky vendim është neni 12 i Ligjit për paga për zyrtarët publikë, i cili e rregullon komplet një situatë të ndryshme nga ajo që është përdorur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Neni 12 rregullon pagesën, shpërblimin siç e quan ligji, pagesën e trupave, anëtarëve të trupave kolegjiale, komisioneve, të cilët nuk kanë orar të rregullt të punës”, ka thënë Shamolli.
Sipas tij, pagesa në masën 20 për qind ekzekutohet nëse kryetari është me orar të rregullt dhe 30 për qind për kryetarin kur ai nuk ka orar të rregullt. Kurse anëtarëve që nuk punojnë me orar të rregullt të punës iu takon shtesa prej 20 për qind të pagës së kryesuesit.
“Çka ka ndodh në këtë vendim? Vendimi nuk ka bërë një dallim mes atyre që janë anëtarë të rregullt dhe që kanë një punë tjetër në sektorin publik dhe dilema ligjore është pikërisht këtu. Ligji për zyrtarët publikë në nenin 38 ka një rregullim sa u përket atyre personave që kanë një marrëdhënie pune në sektorin publik dhe mënyrën e pagesës së tyre që është përafërsisht me limitet që i ka neni 12. Por neni 12, të jemi të qartë, jep modalitetet për anëtarët që punojnë me orar jo të rregullt të punës dhe nuk kanë asnjë burim nga buxheti i Kosovës. Domethënë, nuk marrin asnjë pagë tjetër nga buxheti i Kosovës”, ka theksuar Shamolli. “Por, në anën tjetër, çka rregullon vetë neni 41? I rregullon vetëm pagat, jo edhe llojet e shpenzimeve dhe kompensimeve që nuk janë pagë. Prandaj dilema e radhës është te vendimi që e cekëm është edhe në këtë pikë. Vendimi e ka marrë të mirëqenë mënyrën e pagesës që ka qenë më herët në bazë të një vendimi me gjasë të ish-kryetarit të KGJK-së”.
Pagesën prej afro 2 mijë eurosh anëtarët jogjyqatarë e kanë marrë edhe para se të hynte në fuqi Ligji i ri për paga. Edhe para vitit 2023, sipas zyrtarëve të Këshillit Gjyqësor, kjo ishte rregulluar me vendim, i cili bazohej në Ligjin për KGJK-në.
“Anëtarët jogjyqtarë të KGJK-së, deri në shkurt të vitit 2023 kanë marrë kompensim në bazë të Vendimit KGJK nr. 238/2020, të datës 26 tetor 2020, respektivisht pika 3 e vendimit, citoj ‘anëtarët jogjyqtarë të Këshillit kompensohen me pagën bazë ekuivalente me pagën e gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore pa të drejtë kompensimi shtesë për punën e tyre në komisionet e përhershme dhe të përkohshme të KGJK-së’’’, thuhet në përgjigjet e KGJK-së.
Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, ky vendim është bazuar në nenin 18, paragrafi 2 i Ligjit për KGJK-në, i cili thotë: “Anëtarët jogjyqtarë të Këshillit që nuk janë me orar të plotë kanë të drejtë në kompensim për punën e tyre si anëtarë të Këshillit. Këshilli do të miratojë skemën e kompensimit”.
“Sipas vendimit KGJK.nr.238/2020, që përcakton skemën e kompensimit sipas Ligji Nr. 06/L-055, shuma e kompensimit ka qenë 1911.60 € dhe nuk ka qenë e ndarë në pjesë. Këtë kompensim anëtarët jogjyqtarë e kanë pranuar deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga, përkatësisht shkurt 2023”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së. “Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka nxjerrë vendimin KGJK. nr.263/2023, me të cilin ka njohur të drejtën e kompensimit për anëtarët jogjyqtarë me kompensim prej 20%, të pagës bazë të Kryesuesit të Këshillit dhe gjithashtu duke marrë parasysh se anëtarët jogjyqtarë kanë pranuar kompensim të barasvlefshëm me pagën e gjyqtarit të departamentit të përgjithshëm të gjykatës themelore deri në shkurt të vitit 2023, kur ka hyrë në fuqi Ligji për Pagat, të njëjtëve u është njohur edhe e drejta për kompensim me shtesë transitore që përcaktohet me ligj”.
Këtë e ka kontestuar Naser Shamolli nga GLPS-ja.
“Pikërisht këtu është edhe dilema, pra dhe paligjshmëria potenciale e këtij vendimi, për shkak se Ligji është shumë i qartë. Në këtë pikë thotë se anëtarët e trupave kolegjiale që paguhen me orar jo të rregullt të punës që janë me pjesëmarrje në seancë, ka rregull shumë të detajizuar te ky neni që i paguan, por në asnjë rast nuk e legjitimon pagën. Domethënë, këta realisht nuk kanë pagë bazë. E kanë vetëm atë shpërblimin që është në masën e 20 për qind e pagës së kryetarit, kur i njëjti është me orar të rregullt të punës”, ka theksuar ai.
Sipas Shamollit, do të duhej që neni 38 t’i rregullojë këto kategori dhe t’i përfshijë në ato raste ku sipas ligjit marrin një funksion tjetër, siç është rasti i gjyqtarëve, por janë pjesë e KGJK-së, t’i lejohet edhe një lloj shtese nëse shihet e arsyeshme në masën siç është paraparë për zyrtarët publikë.
“Pra, neni 38 për zyrtarët publikë e ka rregullua çështjen e shpërblimeve ose shtesave, ndërsa i ka përjashtua funksionarët publikë. E neni 12 nuk është i përshtatshëm dhe nuk mund të aplikohet për anëtarët të cilët marrin edhe një pagë nga buxheti i shtetit”, ka thënë ai.
Zyrtarët e KGJK-së nuk kanë lejuar qasje në procesverbalin e mbledhjes kur është marrë vendimi për këto shtesa, me arsyetimin se kjo pikë ka qenë e mbyllur dhe në këto raste nuk lejohet qasje për publikun.